Kobina turbullon drejtësinë shqiptare, lojtari i Tiranës rrezikon dënimin me burg nga gjykata

Uinful Kobina ka përplasur krerët e shtetit shqiptar për shkak të marrjes së pasaportës shqiptare. Presidenti Ilir Meta i dha lojtarit afrikan nënshtetësinë shqiptare, pavarësisht se futbollisiti i Tiranës ishte nën akuzë për falsifikim dokumentesh. Ky vendim solli edhe reagimin e Kryeministrit Rama, i cili akuzoi Presidentin e Republikës dhe mesfushorin ganez se kanë shkelur drejtësinë.

Ndërkohë “Top Channel“ bën me dije se drejtësia i është vënë pas Kobinasë, duke nisur edhe gjyqin mbi të. Lojtari nuk është paraqitur në seancat e përcaktuara, duke bërë që të kërkohet shoqërimi i tij me forcë. Futbollisti është endur në territorin shqiptar me një vizë false, teksa leja e qendrimit i kishte përfunduar.

Gjithçka nis një vit më parë, kur në qershor të 2019-ës autoritetet shqiptare të policisë kanë dalluar se viza e lojtarit ka skaduar, ndërsa leja e qendrimit e treguar nga Kobina ishte false. Në deklaratën e tij për prokurorinë, futbollisti ganez është shprehur se me lejen e qendrimit e ka pajisur një person që ndiqte shpesh ndeshjet e skuadrës së Tiranës.

Nëdërkohë klubi bardheblu ka lëshuar një kërkesë në drejtim të Presidentit Ilir Meta në datën 26 shtator të këtij vit, kur ky i fundit ka vendosur t’i japë edhe nënshtetësinë shqiptare Uinful Kobinasë. Lojtari afrikan ka turbulluar kështu drejtësinë dhe politikën në vendin tonë, ndërsa tani është në pritje të vendimit të gjykatës, e cila për akuzën e falsifikimit të dokumenteve mund të japë një dënim nga 6 muaj deri në 5 vite burg./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *