Tekniku gjerman i Liverpulit ka larguar presionin nga lojtarët e tij, duke thënë se nuk janë favoritë për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale
Jurgen Klop vazhdon të tregohet modest në deklaratat e tij. Pavarësisht se mori një fitore bindëse 3-0 në ndeshjen e parë përballë Mançester Sitit, tekniku gjerman refuzon ta cilësojë skuadrën e tij favorite. Ndoshta e bën këtë gjë për të larguar presionin nga lojtarët e tij, por Klop e mohoi këtë gjë, duke thënë se është i këtij mendimi pasi kjo është e vërteta. Tekniku gjerman u shpreh se Siti është skuadra favorite, pasi drejtohen nga trajneri më i mirë në botë.
Siti favorit
Në konferencën e tij për shtyp para ndeshjes kundër Sitit, Klop u shpreh: “Nuk dua të na cilësojnë neve si favoritë. Kemi avantazhin, por nuk jemi favoritë. Nëse ka një skuadër favorite për këtë takim, ajo është skuadra e Sitit. Të gjithë e mbajnë mend mirë ndeshjen e fundit që luajtëm në “Etihad”. U mposhtëm 5-0 dhe ajo ndeshje tregoi kualitetin e Sitit. Ata janë një skuadër tepër e fortë dhe drejtohen nga trajneri më i mirë në botë”,- tha Klop.
Eksperienca në Evropë
Tekniku Klop foli edhe për faktin se eksperienca në Evropë e Liverpulit ka ndikuar në rezultat. Strategu gjerman tha se kjo nuk është e vërtetë. “Ndeshjet në Evropë për Liverpulin janë gjithmonë speciale. Historia që ka klubi në Ligën e Kampionëve dihet nga të gjithë, por kjo gjë nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes së parë. Historinë e bëjmë vetë dhe ne kemi eksperiencë në këtë kompeticion aq sa ka dhe Siti. Ndeshja e nesërme(sot) do të jetë një test për të dyja skuadrat”,- shtoi Klop.
Salah
Shqetësimi më i madh në kampin e të kuqve është padiskutim gjendja fizike e Mo Salah. Sulmuesi egjiptian u dëmtua në ndeshjen e parë kundër “Qytetarëve” dhe mungoi edhe në derbin e fundjavës kundër Evertonit. Ylli 25-vjeçar pritet të jetë i gatshëm për takimin e sotëm dhe këtë gjë e konfirmoi dhe Klop. “Nuk mund të them me 100% nëse Salah do të jetë në fushë apo jo. Por kemi lajme të mira, pasi ai kreu stërvitje të plotë. Deri më tani gjithçka duket mirë, por në rast të një shqetësimi të vogël, nuk do të rrezikoj me aktivizimin e tij”,- tha Klop.
Dëmtimet
Liverpuli vuan nga një listë e gjatë dëmtimesh. Në fazën më të rëndësishme të sezonit, Klopit do t’i duhet të bëjë pa 7 lojtarë kryesorë. Bëhet fjalë për Matip, Lalana, Gomez, Moreno, Xhan, Robertson dhe Salah. Edhe pse situata duket më e mirë për Salah dhe Robertson, pesë lojtarët e tjerë nuk do të jenë të gatshëm për Klopin në takimin kundër Sitit. E për më tepër, në fushë për Liverpulin nuk do të jetë as kapiteni Henderson për shkak kartonësh.