Vasil Ruci ishte pjesë e emisionit “Kubi Sportiv” në “Euronews Albania”. Gjatë një interviste me gazetarin Drilon Xhepollari, ish-lojtari i njohur i Kombëtares shqiptare ka dhënë mendimin e tij për përballjen e së enjtes mbrëma kundër Polonisë. Vasil Ruci ka theksuar se kjo është një ndeshje që vjen një herë në 100 vjet për Shqipërinë, prandaj duhet shfrytëzuar në maksimum. Sipas tij mençuria profesionale dhe nacionalizmi do të jenë dy pikat kyçe me të cilat mund ta kalojmë me sukses Poloninë.
“Shqipërisë një rast i tillë mund t’i vijë një herë në 100 vjet. Fjala ‘kemi bërë mirë’ është fjalë pesimiste. Rëndësi ka të bëjmë mirë. Është për mendimit tim ndeshja e vitit dhe e shekullit për Shqipërinë. Nuk e di nëse do të na vijë më një ndeshje e tillë. Mençuria profesionale, po t’i bashkangjitet nacionalizmit, me një gjykim të pjekur dhe me sakrificë e njerëz që kanë besim te ajo ndeshje, besoj se gjithçka kalohet. Një Kampionat Botëror është si të martohesh me një mbretëreshë.”, ka thënë Vasil Ruci./Sport Ekspres/