Mbrojtësi bardhezi: Gonzalo s’ka asnjë problem. Titulli? Napoli, Inter, Roma dhe Milani nuk do të na ndahen
Xhorxho Kielini flet gjithmonë hapur. Dhe e ka bërë diçka të tillë edhe në një intervistë ekskluzive, të dhënë dje, për “Sky Sport”. Kështu, ai ka folur për startin pozitiv të sezonit nga ana e “Zonjës”, për BBC-në që nuk ekziston më, por edhe për golat e munguar të Higuainit. “Vitin e shkuar kemi ndryshuar shumë, sidomos nga tetori e më tej përveç ndeshjeve të para, sapo kemi gjetur vijueshmërinë. Kemi alternuar të gjithë dhe ky kontigjent dëshmoi se ka futbollistë në nivel të njëjtë dhe në mbrojtje mund të luajë secili prej 9 futbollistëve që kemi repartin e prapavijës. Sigurisht kjo ishte forca jonë e madhe, sepse na mundësoi që të mos e ulim nivelin e rendimentit në fushë, por të administrojmë më mirë energjitë dhe të parandalojmë dëmtime, për të arritur në formë maksimale në ndeshjet më të rëndësishme. Nëse në fund arritëm në tre kompeticione në dy vite e gjysmë dhe nëse kemi arritur në fund në Kupën e Italisë, është pikërisht falë kësaj”, deklaroi Kelini.
HIGUAIN – “Higuain s’është aspak një problem, është një çështje e stisur, sepse nuk ekziston. Gonzalo është një siguri, një futbollist që në fund të vitit është gjithmonë aty, një prej vendimtarëve, njëri prej atyre që na bën të fitojmë diçka. Lëreni të qetë atë”.
TË RINJTË – Ndërkohë, përsa u përket të rinjve dhe të sapoardhurve në skuadër këtë verë, te Juventusi përfshihesh shumë gradualisht. Në mesfushë Matuidi dhe Bentankur kanë gjetur hapësira për shkak të dëmtimeve të Kedirës dhe Markizios. “Bentankurin e kisha parë të gatshëm që në SHBA, ndërsa Matudi është një futbollist i madh të cilin e njoh mirë, ndryshe nga të tjerët, na plotëson. Flet pak dhe është konkret, është një futbollist për Juven”, u shpreh mbrojtësi.
TITULLI – Ndërsa, fjalët e fundit të Kielinit, sigurisht që kanë qenë të lidhura me rrugëtimin drejt titullit dhe rivalët që bardhezinjtë do të kenë. “Pesë skuadra me shumë pak pikë diferencë. Besoj se, përveç Napolit, edhe Interi, Roma apo Milani mund të tentojnë të shkojnë deri në fund. Ne duam që në mars të jemi ende në garë për të tre kompeticionet. Bazat janë dhe përbërësit e suksesit janë përultësia, sakrifica dhe bindja”.