Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qenë në një lidhje direkte nga Andorra për “Supersport”, ku ka folur për ekipin kombëtar. Duka është shprehur se tashmë kuqezinjtë i pret një kompeticion që dallon për nga vështirësia me Ligën e Kombeve, ndërsa më pas ka prekur edhe çështjen e pranisë së tifozëve në stadium si dhe shkresën zyrtare të policisë në lidhje me mbarëvajtjen e duelit kundër Anglisë.
“Ne akoma s’kemi një përgjigje pozitive. Por secili shtet ka rregullat e veta. Këtu e kanë lejuar të ketë spektator, në Shqipëri jo. Në Shqipëri kanë lejuar praninë e spektatorëve në mitingje politike. Kjo është një tjetër gjë. Nuk është e njëjta gjë si Nations League. Padyshim edhe ajo ka pasur vështirësitë e veta, por këtu shkalla e vështirësisë është akoma më e madhe. Kompeticioni është më i rëndësishëm, sepse luhet për Kupën e Botës. Kundërshtarët padyshim që janë edhe më të fortë, por ne duhet të luajmë kartat tona. E rëndësishme është ta nisim mbarë. Të fitojmë ndeshjen sot. Këtë i kemi kërkuar skuadrës, të përqendrohemi maksimalisht. Kundër kundërshtarëve të tillë për ne vështirësohen shpesh gjërat. Shpresoj dhe uroj që skuadra ta ketë kuptuar këtë mesazh, që nuk ka kundërshtar të dobët. Të gjithë luftojnë dhe ne duhet të luftojmë akoma më shumë.
Kemi pasur një shkresë zyrtare nga Drejtoria e Polisicë së Tiranës, që thoshte se policia nuk merr përsipër sigurinë e kësaj ndeshjeje, domethënë nuk do jetë pjesë e organizimit të kësaj ndeshjeje. Kjo padyshim na ka shqetësuar. Kemi kontaktuar me autoritetin dhe reagimi i tyre ka qenë i menjëhershëm. Kanë thënë që është një keqkuptim, por në fakt ka qenë një shkresë zyrtare. Jam i sigurt që policia tani do ta ketë më seriozisht.
E kemi thënë si institucion që ne kemi një stadium, i cili i plotëson të gjitha kriteret për të respektuar protokollin dhe për të eliminuar përhapjen e virusit. Nëse do të kishim pak spectator, 30% të stadiumit, të distancuar në çdo 3 sedilje 1, nuk mendoj se ka asnjë rrisk, ose është më minimal se jeta në Shqipëri. Jo vetëm jeta e mitingjeve, por edhe jeta e bareve dhe restoranteve që pothuajse nuk ka asnjë protokoll të respektuar. Të jesh ekstremist në një aktivitet të tillë, në një ndeshje që nuk vjen shpesh, kundër një kundërshtari shumë të madh që shqiptarët e presin me padurim dhe ndodh 1 herë në 20 vjet por mund të ndodhë edhe njëherë në 50 vjet. Kështu që mund ta kishim shfrytëzuar. Edhe për të rikthyer jetën në Shqipëri, por edhe për të mbështetur skuadrën”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/