Julian Ahmataj e nisi me humbje aventurën e tij në krye të Kamzës, ndërkohë që në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai shpreh keqardhjen për mënyrën se si skuadra e tij pëson.
“Të luash kundër Skënderbeut është e vështirë, ata nuk kanë as presion, pasi i kanë pikët për titullin. Kjo e bën ndeshjen edhe më të vështirë. Më vjen keq për golat, pasi i dhuruam. Duhet të ishim më të qetë psikologjikisht. Duhet të punojmë në këtë aspekt, pasi pësojmë gola shumë lehtë. Duhet të ndryshojmë balancat në fazën defensive”.
“Kishim disa mungesa, lojtarë të rëndësishëm. Ky grup më ka dhënë garanci. Sapo kalova ekipin në 4-2-3-1 ata u rikthyen në lojën e tyre, pasi ashtu janë mësuar. Për 2-3 ditë nuk kishim çfarë bënim më shumë. Lojtarët dhe grupi më japin besim se do ia dalim. Fati i keq për ne ishte që luajtëm me Skënderbeun, Me rëndësi që shënojmë, duhet të rregullojmë disa gjëra të vogla. Rëndësi ka përfundimi”.
“Orarin nuk e vendos unë. Duhet të hipim më lart dhe të mbetet prapa kush të dojë. Nuk na takon të zgjedhim ne. Kemi objektiv të fitojmë ndeshjet tona dhe të arrijmë objektivin”.