Shqipëria ka humbur mbrëmjen e stome ndeshjen e dytë kualifikuese për Botërorin e vitit 2022. Në “Air Albania“ triumfon Anglia, e cila mposht kuqezinjtë me shifrat 0-2. Djemtë e Edi Rejas tregohen një mur i vërtetë për “tre luanët” gjatë pjesës së parë, madje arrijnë të flirtojnë me golin, por goditja e Myrto Uzunit shkon sipër traut të portës.
Ekipi kombëtar reziston deri në minutën e 39, atëherë kur Kane i shpëton mbulimit të mbrojtjes dhe tund rrjetën me një goditje me kokë. Rasti i parë i rrezikshëm ky i anglezëve, që në fund ndalet në portë.
Ndërkaq pjesë e dytë i jep më tepër hapësira në fushën e lojës Kombëtares së Anglisë, e cila shënon përsëri falë një “dhurate” nga Shqipëria, që ia bën të lehtë rrugën e golit Mount-it. Megjithatë në fund mund të cilësohet një humbje me kokën lart kjo për Kombëtaren shqiptare, që bën një paraqitje të mirë përballë një kundërshtari si Anglia. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Edoardo Reja: “Ne u tërhoqëm shumë në mbrojtje për të tentuar kundërsulmin. Anglia nuk bëri asnjë gjuajtje të vetme në portë përpara golit që ishte për fatin e keq. Uzuni e pati një rast dhe do të kishim të tjera. Anglia ka lojtarë të nivelit botëror dhe futbollistë që të bllokojnë menjëherë dhe nuk të lënë topin. Pres kritika, por kemi bërë një ndeshje të mirë. Cikalleshi nuk ishte në nivelin më të mirë për shkakun e fizikut dhe anës psikologjike. Rasti i Uzunit ishte mëkat se do të kalonim në avantazh dhe do të ishte emocion i madh, do të kishte më tepër nervozizëm te Anglia. Keni disa koncepte të gabuara ndonjëherë në futboll. Nëse do të kishim fituar apo barazuar ndeshjen do të kishte prapë kritika. Kështu e mendojnë disa njerëz këtu. Nuk kishte zotërim topi? Nuk është se nuk e dëshironim ne topin, por kujtoni se më po luanim. Është e vështirë që të mbash topin ndaj këtij rivali. Ndryshe të ishin gjërat nëse nuk do të kishim pësuar në pjesën e parë. Ndaj një ekipi si Anglia kemi bërë ndeshje të mirë”.
Southgate: “Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Ishte shumë e vështirë, Shqipëria ishte e organizuar mirë si me top dhe si pa top. Kishin disa mundësi nëpërmjet kundërsulmit dhe nëse e pësonim, mund të kishte një tjetër rrjedhë ndeshja. Pas 30 minutave filluam që të gjenim hapësirat e para. Shqipëria luftoi deri në fund. Ju po përmirësoheni dhe e shihni se çfarë po ndërtojnë, kanë shpirtin e skuadrës”.
Elseid Hysaj: “Ndesha me Anglinë ishte e vështirë, por jo edhe aq e vështirë. Ne kishim dy raste dhe nuk mund t’i humbësh ato mundësi. Nëse gabon në ato dy mundësi, atëherë do të pësosh. Ne po luanim mirë në minutat e para. Anglia nuk kishte shumë mundësi të mira për të shënuar. Duhej të ishim më të shpejtë në mbylljen e hapësirave në krosimet e Anglisë.
Berat Gjimshiti: “Normalisht që ishte e vështirë kundër Anglisë se ka lojtarë të nivelit të lartë. Ne po e përballonim mirë ndeshjen. Në golin e parë ishte aftësia e Kane dhe pastaj gabimi im në pasim. Nuk i dhamë shumë raste Anglisë. Kane? Nuk është hera e parë që ndeshem me këta sulmues. Por një gabim ndaj tyre dhe e paguan. Nëse Uzuni do të shënonte, mund të ndryshonte loja. Anglia do të kishte më tepër frikë dhe fusha nuk ishte shumë e mirë, duhej të përdornim topin e gjatë. Gjithashtu duhej të kemi më shumë vetëbesim”
Myrto Uzuni: “Mu dha mundësia, mund të kishte shënuar dhe mund të kishim marrë 1 pikë kundër Anglisë që ka lojtarë të mëdhenj. Kur sheh një kundërshtar si Anglia do të luash i tërhequr. Ata sulmojnë në zona boshe dhe prandaj duhej të ishim afër njëri-tjetrit. Anglia ka kualitete si në mbrojtje dhe në sulm prandaj është shumë e vështirë”.