Leonardo Bonuçi ishte njeriu i ndeshjes në finalen e madhe në “Uembli“, ku përpos faktit se u sigurua që Sterling dhe Kejn të mos ishin një kërcënim për portën, shënoi edhe golin e barazimit në minutën e 67. Mbrojtësi italian ka folur për mediat pas shpalljes kampion Europe me axurrët, ku shprehet se kombëtarja e tij i ka dhënë një tjetër leksion anglezëve.
Bonuçi shton se për të ishte një kënaqësi akoma më e madhe të shihte një stadium mitik si “Uembli“ të zbrazej ende pa filluar ceremonia e ndarjes së medaljes dhe të trofeut të Euro 2020. Ndëkohë 34-vjeçari zbulon se në pushimet e kësaj vere do të ketë një detyrë tjetër, që të bindë Kielinin të jetë përkrahë tij me fanellën e Italisë në Kupën e Botës 2022.
“Është një kënaqësi unike të shohësh 58 mijë njerëz që janë larguar edhe para ceremonisë së ndarjes së çmimeve. Tani kupa po vjen në Romë. Ata menduan se do të qëndronte këtu, më vjen keq për ta por Italia edhe një herë dha u një mësim.
Është nata më e mirë në karrierën time, është një gjë e pabesueshme. Ne u bashkuam (me Kielinin) për të luftuar në këtë triumf, ne besuam në të dhe e bëmë atë. Përkushtimi u shkon të gjithë tifozëve tanë që ata do të festojmë si ne, pas një viti si ky shikimi i tifozëve që festojnë është diçka madhështore. Unë do të mendoj ta bind Kielini për Kupën e Botës së ardhshme, ne do të shkojmë me pushime së bashku dhe unë do ta bind atë”, kanë qenë fjalët e Leonardo Bonuçit./Sport Ekspres/