Taulant Seferi ka marrë ftesën e trajnerit Silvinjo për të qenë i gatshëm për përballjen kundër Polonisë më 27 mars. Sulmuesi shqiptar po kalon një formë pozitive te Vorskla e Poltavës, ku është një titullar fiks në formacion dhe ka arritur të shënojë 8 gola këtë sezon. I pyetur nga “Gazeta Blic” për ftesën e Kombëtares kuqezi, Seferi është shprehur se ndihet i lumtur dhe i vlerësuar nga Silvinjo. Ish-sulmuesi i Tiranës beson te grupi i lojtarëve të Shqipërisë se mund të arrijnë kualifikimin për në Euro 2024.
“Pa dyshim që jam shumë i lumtur, falenderimi i takon Zotit. Normalisht, çdo futbollist ka dëshirë të jetë pjesë e Kombëtares, kështu që është një gjë shumë e bukur për mua dhe familjen time që ta përfaqësojmë Shqipërinë. Sa i përket besimit të trajnerit, pa dyshim që ndihem shumë i vlerësuar dhe shpresoj të tregoj më të mirën në fushë, me lejen e Zotit.
Kualifikimi në Euro 2024? Jemi një Kombëtare me shumë kualitet dhe kam shumë besim të plotë në angazhimin e të gjithëve. Me kokën lart dhe me ndihmë e Zotit besoj fuqishëm se do t’ia dalim”, ka thënë Taulant Seferi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/