Fenerbaçe ka prekur fundin sa i përket ëndrrës për titullin kampion. Pavarësisht ndërrimit të trajnerit, po rezulton se nuk ishte ky problemi i skuadrës. Sot ka ardhur edhe një tjetër humbje, madje edhe më “e dhimbshme”.
Kjo për shkak se do të dështonin ndaj Konyasporit me rezultatin 1-0, ndaj një kundërshtari që kishte dy lojtarë më pak në fushë pas daljes me të kuqe të Skubic në minutën e 67 dhe Sahnier vetëm 9 minuta më vonë.
Por pavarësisht kësaj, skuadra e Vedat Muriqit nuk do të arrinte qoftë edhe të barazonte rezultatin. E keqja nuk ka fund për sulmuesin shqiptar që bie menjëherë në qendër të kritikave, duke parë statistikat e takimit. Në total ishin bërë 10 goditje nga ana e Fenerbaçes, por asnjëra prej tyre nuk kishte arritur në portën kundërshtare, por kishin shkuar të gjitha jashtë saj. Pas kësaj humbje Fenerbaçe largohet me 12 pikë nga titulli dhe 9 pikë nga zona europiane.
Kjo ka sjellë edhe një kritikë të madhe nga Luiz Gustavo, mbrojtësi i njohur në Europë: “Është e vështirë të thuash se çfarë mungon këtu. Kur gjërat shkojnë mirë, të gjithë luajnë në fushë si Ronaldinjo, por kur gjërat shkojnë keq, nuk e shoh të njëjtën mënyrë. Në fillim duhet të kemi respekt për këtë skuadër, klub historik dhe për atë që po mbajmë veshur si stemë”, u shpreh Gustavo. Këto thumba shkojnë edhe mbi Muriqin që ishte i vetmi që u vlerësua kur Fenerbaçe po merrte disa fitore radhazi, por që nuk po e nxjerrë dot skuadrën nga “balta” ku gjendet. /Sport Ekspres/