Irani barazoi ndaj Portugalisë me një penallti të akorduar nga VAR-i në shtesë, por trajneri portugez i Iranit, Karlos Keiroz u tregua shumë kritik pas ndeshjes, edhe pse u mundua të bënte humor: “Duhet të tregohem i matur, sepse FIFA është këtu”.
“Kur jepet një penallti është një situatë e çuditshme. Arbitri flet me asistentët, ata shohin përsëritjet, ndërsa askush nuk kupton gjë. Si trajner, do doja të dija çfarë ndodh”.
“Nuk dua të zgjatem shumë me këtë problem, por VAR nuk po funksionon, nuk është në rregull kështu. Me VAR nuk ka hapësirë për gabimin njerëzor, por gabimi është pjesë e lojës.
“Irani është vendi i vetëm që nuk ankohet, nuk kemi kërkuar asgjë. Megjithatë, disa gabime duhen lejuar nuk mund të vendoset gjithçka nga teknologjia”.
VAR u desh edhe për një faull të Ronaldos, i cili goditi një kundërshtar, por u ndëshkua vetëm me karton të verdhë. “Nuk e di pse nuk e nxori me karton të kuq, ndoshta sepse është Ronaldo, një emër i madh i futbollit. Është një pyetje e mirë. Ajo që nuk ka kuptim është që shohin gjithçka, japin karton të verdhë dhe të gjithë jemi në errësirë, duke pritur. Miliona dollarë në lojë dhe 5 persona që vendosin para një monitori”.
Për ndeshjen: “Irani ishte superior dhe meritonte fitoren. Jam krenar për atë që kemi treguar këtë Botëror, Irani fitoi në aspektin e prestigjit. Lojtarët e mi meritojnë më shumë respekt për atë që ka ndodhur. I falënderoj, dolëm të tretët në një grup kaq të vështirë dhe ishim në garë për kualifikim deri në sekondën e fundit. Tani uroj që Portugalia ta fitojë Kupën e Botës, meqë jam portugez dhe tifoz”.