Karlos Keiroz nuk fsheh emocionet që ka përjetuar në një sfidë si ajo mes Iranit dhe Portugalisë. “Kam 36 vjet që stërvis… Thuajse 20 vjet punë me të dy skuadrat: thuajse tetë te Irani dhe 12 te Portugalia. 20 vjet të jetës time me dy skuadrat ishte e veçantë. Në fund të lojës u takova me të gjithë, mikun tim Fernando Santos, Karlos Godinjon dhe disa lojtarë. Adrien, Bruno Alvesh, Sedrik dhe Beto. Nuk mbaj mend më, por kujtoj të gjithë futbollistët spanjollë dhe brazilianë që vijnë të më përshëndesin kur luaj ndaj tyre”.
Më pas, Keiroz foli edhe për ndoshta kartonin e kuq që nuk iu dha Ronaldos për atë goditje me bërryl: “Nëse do të kishte drejtësi në futboll, Irani do të kishte fituar. Kartoni i kuq mbetet i kuq, nuk ka rëndësi nëse quhesh Ronaldo apo Mesi. Me VAR-in nuk ka hapësirë për gabim njerëzor: me një njeri të vetëm që gjykonte, falej, por tani jo më. Dikush të më shpjegoi pse nuk jepet i kuq dhe i verdhë kur dikush ngre bërrylin dhe godet dikë?! Megjithatë, admiroj Ronaldon dhe uroj që Portugalia të shkojë në finale dhe fitojë Kupën e Botës”.