“Katastrofë! Po shesim lojtar për një apartament”, Alliu për shitjen e Rrapajt dhe Hadrojit: Nuk di të kenë bërë çudira, janë nivel mesatar

Partizani ka shitur dy nga lojtarët më të rëndësishëm që ka në organikë. Arinaldo Rrapaj dhe Andi Hadroji do të transferohen në Ukrainë. Pavarësisht se në opinionin sportiv dyshja në fjalë cilësohet si ndër më të mirat e kampionatit, Alliu e sheh ndryshe situatën. Ish-futbollisti shqiptar ka thënë në studion e “Max Sport” në “Euronews Albania” se Hadroji dhe Rrapaj janë një nivel mesatar dhe nuk kanë për t’i munguar Superiores. Ai ka kritikuar edhe zgjedhjen e tyre për të zhvilluar karrierën në Ukrainë.

“Sa vjeç është lojtari që u shit? 24 vjeç. Sa merr Partizan inga kjo shitje? 250 mijë euro. A e kuptoni se çfarë katastrofe jemi?! Shesim lojtarë për një hyrje, për një apartamentë. Kjo është katastrofë. Unë nuk e di që ky lojtar të ketë bërë çudira. Nivel mesatar dhe mbimesatar. Aq më keq, nuk jam dakort me këto zgjedhje që të shkosh të luash në Ukrainë. Nuk është një kampionat që do të bjerë në sy në Shqipëri. Aq më tepër kur vendin e ka të zënë, sepse atje luan mbrojtësi i Kombëtares së Ukrainës. E treta e punës, në moshën 24-vjeçare i ke mbaruar punët me kampionatin shqipar dhe nëse nuk do të shkosh në një kampionat elitar jashtë, atëherë nuk do të rritesh më.

I uroj sukses këtyre dy lojtarëve për karrierën e vetë, po nuk është se do t’i mungojë gjë kampionatit. Tani nuk bën diferencë as kush vjen e as kush ikën, sepse niveli nuk është aq i madh. Është lojtar punëtor, është lojtar që vrapon. Talent nuk kam parë unë”, ka thënë Ilirjan Alliu./Sport Ekspres/