Katastrofë argjentinase, Kroacia e masakron

Më keq nuk ka ku të shkojë. Argjentina, një nga pretendentët për titull, pëson një humbje të pabesueshme 3-0 ndaj Kroacisë dhe është në fije të perit.

Duhej fitore, por edhe barazimi vlente. Në fund erdhi një humbje e turpshme, që fut në kaos Argjentinën. Një rrëmujë totale në fushë, një gol i dhuruar nga portieri veteran Kabajero dhe më pas errësirë.

Kroacia dhuroi spektakël, i dha leksion taktik Argjentinës dhe Sampaolit, dhe tashmë fluturon në turin e ardhshëm. Gjithçka e përkryer, nga mbrojtja deri në sulm, por Modriç e Rakitiç janë një dyshe magjike, ajo që i mungon Argjentinës së varfër.

ARGJENTINË – KROACI     0-3

Shënues: Rebiç 53′, Modriç 80′, Rakitiç 90′

90’+1 RAKITIÇ MERR PJESË NË FESTË. Kundërsulm, tre kroatë me dy mbrojtës, gjithçka e thjeshtë për Rakitiç.

86′ Kroacia zbavitet. Goditje dënimi shumë larg zonës, Rakitiç dhuron spektakël, godet fort dhe vetëm traversa shmang golin e tretë.

80′ KROACIA DYFISHON! Luka Modriç konfirmohet mbreti i Kroacisë, me një gol të madh nga distanca.

63′ ARGJENTINA SHPËRDORON! Meza fillimisht, grushton portieri, ndërsa më pas Mesi dhe eviton golin Rakitiç. E pabesueshme.

53′ GOL KROACIA! Kabajero e katranos. Një pasim pas, portieri argjentinas nuk largon si duhet dhe Rebiç nuk fal. E pabesueshme!


PUSHIMI I NDESHJES – 45 minuta betejë, raste, gabime dhe çuditërisht, asnjë gol. Argjentina e Kroacia janë ndeshur ballëhapur, ndoshta edhe për faktin se një fitore sot vlen shumëfish dhe të dyja palët në sulm kanë lojtarë mjaft cilësorë. Megjithatë, emrat e mëdhenj në sulmet përkatës nuk po prodhojnë dot golin. Herë për fat të keq e herë për gabime elementare, portat janë të paprekura, një rezultat që kënaq plotësisht Kroacinë. Argjentina ka vuajtur shumë, mbrojtja nuk ekziston, por në sulm rastet nuk kanë munguar. Mesi? Mbulim perfekt, por prania e tij është vënë re dhe ka pasur edhe disa pasime të sakta, të pashfrytëzuara nga shokët.

45’+2 REBIÇ HUMBET RAST TË PABESUESHËM! Modriç jep pasim spektakolar, në qendër është i zbuluar Rebiç, i cili vrapon drejt zonës, por ngatërrohet me këmbët e tij dhe mbrojtësit kthehen në zonë. Gjuajtja pasuese është mbi traversë. Dëshpërim te kroatët!

40′ Rebiç e tepron, prej disa minutash kryen ndërhyrje të rrezikshme dhe merr karton të verdhë.

33′ KROACIA HUMBET RAST IDEAL! Krahët e mbrojtjes së Argjentinës nuk ekzistojnë, por edhe qendra vuan. Një kros në zonë gjen të vetëm Manxhukiç, por sulmuesi i Juventusit me kokë godet jashtë, i vetëm me portierin!

30′ ARGJENTINA HUMBET RAST IDEAL! Lovren dhe Vrsaljko nuk kuptohen dhe e bëjnë lëmsh, topi shkon te Enzo Perez, i cili i vetëm gjuan jashtë. Porta ishte e zbrazur!

26′ Aguero depërton nga e majta e sulmit dhe pas disa fintesh kroson, por Striniç devijon topin në këndore. Minuta me shumë ekuilibër në fushë, nuk ka më raste për shënim, pas startit të shpejtë.

13′ Argjentina më në fund zgjohet. Mesi jep një pasim të shkëlqyer në qendër, jashtë zone, ku Meza gjuan, por Lovren me trup devijon në korne, duke shpëtuar Kroacinë nga goli.

10′ Mbrojtja me 3 tek Argjentina është në katastrofë. Vrsaljko del i vetëm në krahun e djathtë të sulmit dhe pason në qendër, por keq. Ishte bosh Rebiç, me fat Argjentina!

5′ PERISHIÇ, PRANË GOLIT! Anësori kroat depërton nga e majta e sulmit, lëshon një diagonale të bukur, por Kabajero devijon në këndore. Super rast për Kroacinë!

1′ NIS NDESHJA

Që në ndeshjen e dytë në grup është koha e bërjes së llogarive dhe Argjentina është nën presion të jashtëzakonshëm, si zakonisht. Skuadra e drejtuar nga Sampaoli ka lojtarë të nivelit të lartë dhe mbi të gjitha ka Mesin, por si zakonisht nuk arrin të shprehet si skuadër dhe kundër Islandës zhgënjeu shumë në aspektin sulmues, duke mos pasur asnjë ide si të depërtonte në murin islandez.

Tani e ka radhën një ndeshje edhe më e vështirë, sepse përballë është Kroacia, skuadër shumë cilësore, që e nisi me një fitore bindëse ndaj Nigerisë dhe tashmë është në pozita komode. Ndonëse ka shumë cilësi në sulm, Kroacia duket se forcën e vet e ka në mbrojtje, sepse pëson shumë pak dhe në 10 nga 11 ndeshjet e fundit për Kupën e Botës ka regjistruar më pak se 3 gola për ndeshje.

Në përballjen e fundit, në Botërorin 1998, fitonte Argjentina 1-0, por këtë radhë gjithçka duket e mundur, edhe pse ashtu si ndaj Islandës, shumica e basteve do të shkojnë për fitoren e Argjentinës, që në letër ka skuadër klasi, por nuk po arrin të zhbllokohet.

Për ndeshjen e sotme Kroacia luan me mesfushë tw përforcuar, duke bërë një ndryshim, taktik në krahasim me javën e shkuar. Ndërkaq, tek Argjentina Di Maria ulet në stol, ndërsa vendin e tij e merr Meza.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *