Kastrioti do kthesën, Marku: Nuk gabojmë ndaj Vllaznisë

Sulmuesi pukjan vlerëson Vllazninë B dhe thekson se krutanëve u lejohet vetëm fitorja në këtë për përballje

Bujar Balliu

Krutanët duan autokritikën ndaj Vllaznisë B, pas asaj humbjeje të pësuar me Egnatian në Rrogozhinë. Në Krujë kërkohet që ky vit të mbyllet me një triumf ndaj shkodranëve, pasi nuk pranohet asnjë rezultat tjetër përveçse fitores, kjo dhe për vetë objektivat që ka klubi. Në një prononcim për gazetën, sulmuesi Taulant Marku thekson se nuk lejohet të gabojnë më, ndaj duhen marrë pikët e plota ndaj kuqebluve, që janë një ekip për t’u vlerësuar. “Për këtë ndeshje do kërkojmë të marrim me çdo kusht tre pikët. Vllaznia B është një skuadër e mirë dhe ka mjaft lojtarë me eksperiencë, ndaj dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht si kundërshtar. Ne si ekip jemi ndërtuar për Superiore, ndaj nuk mundet kurrsesi të bëjmë dy hapa fals. Duhet që të ndreqim ato gabime që bëmë në Rrogozhinë dhe kam bindjen se skuadra do të dijë të rikthehet te fitorja në këtë ndeshje. Kemi mbështetjen e tifozerisë dhe ky është një plus për ne. I ftoj të na mbështesin në këtë takim të fundit për këtë vit. Sa i takon aspektit personal, e kam thënë edhe herë të tjera që e rëndësishme është fitorja dhe nuk ka shumë rëndësi se kush shënon”, deklaroi Marku para ndeshjes me Vllazninë B. Në kampin krutanë kanë nisur të bëhen lëvizjet e para për të përforcuar ekipin dhe deri më tani është biseduar me disa lojtarë. Gjithçka për momentin është në kuadrin e fjalëve dhe ka vetëm një largim, pasi mbrojtësi Ergi Borshi është lënë i lirë. Pritet që të ketë edhe të tjera largime, kryesisht lojtarë që nuk kanë pasur hapësira në pjesën e parë të sezonit.
VLLAZNIA B
Shkodranët nuk e kanë shfrytëzuar faktorin fushë, teksa në tri ndeshjet e fundit në shtëpi kanë mposhtur vetëm Burrelin, ndërkohë që Egnatia e Tërbuni kanë dalë me pikë të plota nga “Reshit Rusi”. Kuqeblutë e drejtuar nga Ervis Kraja gjithsesi nuk do të shkojnë të dorëzuar në Krujë, por do kërkojnë të mos dalin pa pikë, me shpresën se deri në fund të fazës do ia arrijnë ta mbyllin në pesëdhen e parë.

Formacionet e mundshme

Kastrioti: Kuka, Husein, Lila, Hoxha, Çela, Mziu, Çutra, Karakaçi, Boçi, Malindi, Marku. Trajner: S. Nikaj
Vllaznia B: Vjerdha, Balaj , Isufi, Miloti, Hysenaj, Djepaxhia, Dema, Kapaklija, Bega, Erkoçeviq, Pusi. Trajner: E. Kraja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *