Sot miqësorja e fundit. Drejtuesit bëjnë gati afrimet dhe “skarcimet” e para
Bujar Balliu
Në Krujë ende nuk e kanë përfunduar sezonin, pasi skuadra vijon që të stërvitet, ndërsa drejtuesit tashmë janë të përqendruar te merkato. Pritet që në pjesën e dytë të garës, skuadra krutane të jetë akoma më e fortë dhe të mos e diskutojë, jo vetëm ruajtjen e vendit të parë që të çon direkt në elitë, por edhe do të thellojë diferencën me rivalët. Kastrioti mbylli një sezon të shkëlqyer duke e mbyllur vitin në krye të grupit A, me 5 pikë më shumë se ndjekësit më të afërt. Edhe pse kampionati ka ditë që ka përfunduar, ekipi i Kastriotit ende nuk i ka marrë pushimet, ndërsa sot do të zbresë në fushën e blertë pasi stafi teknik ka planifikuar një ndeshje miqësore me ekipin e Ballkanit, ekip kosovar që garon në Kategorinë e Parë në Kosovë dhe është një ndër pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Superiore. Sipas drejtuesve krutanë kjo ndeshje do t’u shërbejë lojtarëve për të mbajtur formën fizike, por edhe një sfidë argëtuese për tifozët në prag të Vitit të Ri.
LARGIMET – Gjithashtu, pritet që krutanët të vendosin edhe pikat mbi ‘i’ për shumë çështje përfshirë merkaton por edhe lojtarët që kanë kërkuar të largohen nga skuadra për mungesë hapësirash. Burime të gazetave zbulojnë edhe emrat e futbollistëve që kanë kërkuar largimin dhe pas janarit duan të luajnë diku tjetër, pasi te Kastrioti nuk kanë gjetur hapësira të mjaftueshme. Kështu, pas Ergi Borshit, i larguar zyrtarisht pak ditë më parë për mos gjetje hapësirash, edhe futbollistët, Denis Myrta, Endri Muçmata dhe Alvi Gjonaj mësohet se kanë kërkuar nga klubi që t’i lë të lirë. Drejtuesit ende nuk kanë vendosur përfundimisht, megjithatë duket se kanë dhënë “OK”-in në lidhje me këto largime. Sa i takon merkatos, krutanët kanë nisur bisedimet me disa lojtarë nga Kategoria Superiore, dhe në ditët në vijim pritet të zbulohen edhe emrat e tyre.