Shkëlqimi i tij do të lindte te bluzinjte e Luftëtarit, me të cilët arriti të linte gjurmë në Superiore me golat e tij në fushën e lojës. Nga këtu do të dilte edhe emri i Kristal Abazajt në skenën europiane. Një sezon i shkëlqyer në elitën shqiptare do të rezultonte në një katapultim drejt një klubi të njohur, si Anderlecht. Por aventura e re nuk do të shkonte ashtu siç të dyja palët mendonin, teksa futbollisti nuk gjeti dot hapësira në Belgjik. Madje as huazimi drejt Kroacisë në radhët e Osijesut nuk përfundoi me një fund pozitiv.
Kështu Abazaj rikthehet edhe një herë në vendin ku di të shkëlqejë, në Superiore. Por këtë herë veshur mban fanellën e një prej pretendentëve kryesorë për titullin kampion, Kukësit. Golat dhe asistet nuk i kanë munguar këtë sezon dhe minutat në këmbët e tij duket se kanë bërë të tyren. Por synimet e sulmuesit nuk mbeten brenda kufijve të Shqipërisë, pasi një rikthim në Europë është ajo që ai kërkon. Pas nxehmjes dhe përgatitjeve të janarit, Abazaj pritet të kthehet më i fortë në gjysmën tjetër të sezonit, duke marrë mjaftueshëm “karburant” për një udhëtim të gjatë drejt Europës./Sport Ekspres/