Karate/ Turneu “Energjia” për herë të parë ndërkombëtar…

Karateja shqiptare tashmë ka dhe turne ndërkombëtar që i zhvillon në Tiranë. Dhe kjo është pazgjidhshmërisht meritë e Erton Latollarit, instruktor i ekipit “Energjia Karate”. Dhe pikërisht dje ekipe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë mbledhur në sallën “Feti Borova”, teksa është konkurruar në kata (demonstrime) dhe kumite (dyluftime). Dhe gjithçka ka nisur nga fëmijët për të përfunduar tek të rriturit. Në ceremoninë e hapjes kanë qenë të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, shefi i strategjive për zhvillimin e sportit dhe rinisë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Arjan Konomi, dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Organizatorët për të tre këto personazhe kanë dorëzuar titullin “Mirënjohje”. Latollari për “Sport Ekspres” ka treguar dhe se si lindi ideja e këtij aktiviteti, apo dhe ndihmat që ka pasur për ta bërë sa më mirë këtë veprimtari, që synohet të jetë e përvitshme.

Kryebashkiaku i Tiranes, Veliaj, perkrah nje fituese dhe Erton Latollarit, instruktor i ekipit “Energjia Karate”

“Së pari – thotë Latollari – ne e ngritëm këtë aktivitet nën emrin e kompanisë për të rritur masivizimin në sportin e karatesë, por dhe për një shkëmbim eksperiencash që do të çojnë në ecjen përpara. Nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk kemi pasur ndonjë mbështetje financiare. Federata Shqiptare e Karatesë na ka ndihmuar me bazën materiale, apo dhe gjyqtarët, kurse të gjithë pjesëmarrësit janë këtu kundrejt një takse pjesëmarrjeje. Bashkia e Tiranës na ka ofruar sallën, sigurisht kundrejt pagesës. Synimi ynë kryesor është që ta bëjmë të përvitshëm këtë turne”. E më pas janë shpërndarë dhe kupat e medaljet për fituesit, kurse turneu ndërkombëtar “Energjia” duket se do të jetë i atashuar në kalendarin vjetor të Federatës Shqiptare të Karatesë. Në përfundim Bijtë e Shqipes kanë qenë fituesit e turneut, kurse skuadrat më masovike Elbasani dhe Forca e Shkupit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *