Kryebashkiaku tregon çfarë ndodhi dhe shpreson që ndeshja të luhet: Rrugën nuk e parashikojmë dot, mirë është të luhet ndeshja
Kryebashkiaku Agron Kapllanaj i Bashkisë së Mallakastrës, tregon të vërtetën dhe bisedat e tij me zyrtarët e FSHF-së. Kapllanaj, në një rrëfim për “Sport Ekspres”, tregon me detaje tërë situatën që u krijua pak orë para ndeshjes me Luftëtarin, kur automjeti me të cilin udhëtonte ekipi i futbollit u prish në Njësinë Administrative, Grashicë, pak minuta larg qendrës së Ballshit.
REAGIMI – “Natyrisht që jam njohur me situatën, sepse me kanë vënë në dijeni menjëherë. Skuadra ishte pak minuta larg qendrës së Ballshit dhe prej aty e deri në Gjirokastër, donte të paktën 1 orë e 50 minuta në qoftë se do të ecim në kushte normale. Mirëpo, më kuptoni drejt, sepse bëhet fjalë për rrugën e vjetër dhe jo autostradën. Autobusi me të cilin udhëtonte skuadra, në Njësinë Administrative Greshicë ka pësuar defekt të rëndë. Është pritur disa minuta që defekti të riparohej dhe menjëherë në dispozicion të skuadrës është vënë një automjet tjetër.
“Për të qenë korrekt dhe për t’i paraprirë situatës, menjëherë kam kontaktuar edhe me shefin e garave, Lysjen Nurishmin apo dhe me drejtuesit e ekipit të Luftëtarit. Të cilëve u kam bërë të ditur situatën, duke qenë se ndeshja startonte në orën 13:00. Të jemi realist, ekipi shkoi në Gjirokastër dhe me sa di unë, pasi kam qenë në kontakte gjatë gjithë kohës, ekipi ka shkuar në orën 13:50 në stadium, madje, sapo është nisur me automjetin e ri është vënë në dijeni FSHF-ja, por edhe klubi i Luftëtarit si për të treguar gatishmërinë tonë në respekt të garës. Kështu që nuk më duket e arsyeshme që ndeshja të jepet në tavolinë. Bylisi shkoi, ne nuk mund të parashikojmë fatkeqësitë natyrore, apo të papriturat e pakëndshme që na ndodhin në një udhëtim. Mirë është që ndeshja të riluhet, por vendos FSHF-ja sepse ata e dinë. Por ju ritheksoj edhe një herë se skuadra respektoi garën, por edhe Luftëtarin dhe fanellën, shkoi në stadium, për këtë janë dëshmitarë edhe ata tifozë gjirokastrite që kanë qenë aty”, – tha kryebashkiaku Agron Kapllanaj