Kandreva: Ndaj Milanit, dua gol si ndaj Shqipërisë!

Sulmuesi zikaltër është i bindur te suksesi ndaj Milanit: “Vërshëllimat? Janë pjesë e profesionit tonë, por s’jam dakord me ata që thonë se po luajmë keq

“Ndaj Shqipërisë kam shënuar një gol të rëndësishëm, donim të fitonim për të qenë kokë grupi. Rikthehem këtu me entuziasëm, si gjithnjë. Jemi të karikuar për një ndeshje shumë të rëndësishmë. Shorti i plejofeve? Nuk ka skuadra të veçanta për t’u evituar, janë të gjitha të forta. Të mos arrijmë të shkojmë dot në Rusi do të ishte e rëndë për t’u kapërdirë, por do të mendojmë nga nëntori. Tani e kemi mendjen vetëm te derbi”. Në shtëpinë e Interit, vetëm pak ditë përpara derbit të qytetit, me Milanin, fjalën e ka marrë Antonio Kandreva, “njeriu i ndeshjes” ndaj Shqipërisë dhe tani është i motivuar për të qenë i rëndësishëm edhe me fanellën zikaltër. “Sigurisht kemi përpara dy ndeshje (derbin dhe më pas Napolin) shumë të forta, por të mendojmë javë pas jave. Duam të mundim Milanin për ta larguar sa më shumë”.

VËRSHËLLIMAT DHE LOJA – Lojtari i lindur në vitin ’87, me origjinë arbëreshe, por i lindur dhe rritur në Romë, ka vijuar më pas duke folur për kritikat e periudhës së fundit, qoftë për performancën personale, ashtu edhe për atë të skuadrës. “Vërshëllimat bëjnë pjesë në profesionin tonë, por unë kam dhënë gjithnjë maksimumin. Në krosimet e shumta që bëj gjatë ndeshjes, mund edhe të gaboj ndonjë. Dhe me Ikardin punojmë shumë për këtë pjesë. Unë trekuartist?  Nuk jam provuar kurrë në atë pozicion, por roli është nga ato që vlen. Interi luan keq? Jo, nuk jam dakord. Ndaj Fiorentinës kemi bërë një ndeshje shumë të bukur. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për pjesën e dytë të Romës dhe një pjesë të ndeshjes me Spal-in. Disa thonë që jemi me fat, mund të përmirësohemi sigurisht, por nuk luajmë keq. Imagjinoni, sikur të luanim mirë…”.

MILANI — “Kuqezinjtë vijnë nga një ndeshje aspak pozitive dhe do të kenë dëshirë që të bëjnë mirë dhe do të jenë të inatosur. Por ne duhet të jemi edhe më shumë se ata, sepse objektivi ynë është vetëm një. Të fitojmë. Dhe unë do të dëshiroja një gol fitoreje, “të rëndë”, si ai që shënova me kombëtaren. Nga sezoni i shkuar kanë ndryshuar shumë gjëra, jemi përmirësuar dhe rezultatet po na japin një ndihmesë të madhe. Interi do të qëndrojë lart”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *