Pas ndeshjes së humbur me Skënderbeun, ka ardhur edhe një reagim i klubit të Kamzës për gjykimin e kryesorit Laver Alla, për të cilin drejtuesit e klubit kamzali janë të bindur se ishte i telekomanduar. Ata shprehen se dikush po verbohet nga ecuria e mirë e Kamzës, ndaj dhe veprohet kështu për të dëmtuar këtë skuadër: Ja çfarë shkruhet konkretisht në reagimin e klubit:
“Duke parë arbitrimin e gjyqtarit “telekomandë” Laver Alla, klubi ynë ndjen si detyrë të sensibilizojë opinionin sportiv lidhur me këtë gjyqtar kamikaz. Nuk është aspak çudi të të mundë Skënderbeu, por çudi është të të mundë ekipi në fjalë me ndihmën e arbitrave. Lind pyetja: Kush e dërgoi këtë kamikaz në Kamzë? Pulti i telekomandimit ishte në Korçë, në Tropikal apo nga ndonjë qytet tjetër? Na vjen keq që arbitri të bëhet protagonist në një garë të bukur sportive, ku të gjithë po dëfreheshin, duke parë një futboll të bukur nga të dy kampet. Na ka mundur edhe Luftëtari në shtëpi, por askush s’ka reaguar, madje i kemi dhënë dorën kundërshtarit, duke e uruar për fitoren, sepse arbitri nuk ishte protagonist.
Kërkojmë nga FSHF-ja të hetojë këtë arbitrim tendencioz, që na dëmtoi me vendimet e tij, si në rastin e faullit të Radasit, në formimin e aksionit të golit të parë për ekipin korçar. Ne e kuptojmë se dikujt nuk i pëlqen renditja e skuadrës së Kamzës, dikush verbohet nga kjo ecuri, por janë pikë që i kemi grumbulluar me gjak dhe djersë dhe askush s’mund dhe s’duhet të tallet me ne. Gjithsesi, ndaj çdo padrejtësie ka Zot lart në qiell, që merr hak dhe UEFA dhe FIFA që vonojnë, por nuk të falin në ndëshkimet e tyre. FORCA KAMZA