Sërish xhaketat e zeza protagonistë. Nuk mjafton turpi i certifikuar nga UEFA që ngeli në klasë dy arbitra, por kësaj i shtohen edhe vendimet që po falsifikojnë kampionatin.
“Të arbitrosh? E vetmja punë në botë ku mund të bësh idiotësira çdo ditë pa u shkarkuar asnjëherë!”. Andi Rodik, ish-tenistin e famshëm amerikan, nuk e lidh asgjë me Shqipërinë dhe shqiptarët, por sigurisht që nëse do të ndodhej në tribunat e një prej stadiumeve të Superligës, Kategorisë së Parë apo të Dytë, mund të ripërsëriste shprehjen e thënë kohë më parë pas një ndeshje të humbur për vendimet e arbitrave…
E po ta mendosh, emërtimi “arbitër” është ai i një zyrtari ndeshje që drejton dhe gjykon kompeticionet sportive duke garantuar respektin e rregullores dhe duke bërë të vlefshëm rezultatin final. Megjithatë, nga teoria te praktika, hendeku është po aq sa ndan Amerikën nga Europa, me Oqeanin Atlantik në mes… Dhe, në atë “oqean” po mbyten dita ditës shpresat për të parë një garë të rregullt, pa vendime absurde, pa rezultate të ndikuara dhe pa një kampionat të falsifikuar. i quajnë ende “gabime njerëzore”, sepse nëse thërriten ndryshe, skandali do të certifikohej.
Një masakër me bilbil që nuk ka fund dhe që po merr përmasa gjigante. Sepse, nëse ngelja në klasë e Juxhin Xhajës dhe Eldorian Hamitit në testet fizike të UEFA-s u kalua nga federata shqiptare e futbollit dhe sektorit i arbitrimit sikur ishte gjëja më normale në botë, çdo javë kampionati janë të paktën 3 apo 4 gabime skandaloze dhe favorizime që, nëse do të përpilohej një tabelë e Superligës, do të dilte një renditje totalisht ndryshe nga ajo që po shohim aktualisht…
Por, le të vijmë në ditën e djeshme dhe te “gabimet njerëzore”… Protagonisti që meriton pllakën e artë është arbitri Emirjon Sino, i cili në Korçë përpiqet që të imitojë suedezët që drejtuan Arsenal-Milan dhe gjen Ali Souenë në version Uellbek. Një penallti inekzistente në favor të sulmuesit, që pasi shtyn topin shumë larg tij, i paarritshëm duke shkuar në fundore, hidhet ende pa u afruar kontakti me portierin Athanasopulos, duke bërë një fluturim nga ato që vlejnë për medalje olimpike në kërcimet në rërë dhe trehapësh… Por, Sino nuk u ndal me kaq, sepse një penallti në favor të Luftëtarit, pasi Mici e ndaloi topin me dorë në zonë duke e spastruar më pas nuk u pa, as edhe nga virojtësi, që kishte fushëpamje. Nga Korça në Laç, aty ku dy penallti u mohuan, si për kurbinasit, ashtu edhe për Kamzën, teksa një karton i verdhë për miqtë ishte për estradë. Këtu gjykoi Ardian Beqiri. Masakra vijoi në Lushnje, aty ku Klajdi Kola dha penallti të dyshimtë për Teutën e faull të dyshimtë në shtesë, duke qenë edhe ai protagonist në përmbysjen e durrsakëve. Nëse kthehemi pas në kohë, në javët e tjera që nga fillimi deri tani, është çmenduri, nga arbitrimet kundër Flamurtarit e me radhë.
E ndërsa në FSHF krenohen me Akademinë e Arbitrave si një nismë që do të na sjellë një frymë të re arbitrimi, e tashmja është më e zymtë se kurrë dhe eksodi i tifozëve pritet të jetë edhe më i madh në vijim. Sepse, nuk kemi nevojë për infrastrukturë, nëse ajo do të shërbente për kafaz pëllumbash apo për të bërë hije në kafenetë përreth…