Futbolli përcjell emocione të forta për tifozët, që shpesh herë përfundojnë edhe me lot gëzimi. I tillë ka qenë edhe rasti i Dëfrim Methasanit. Gazetari i mirënjohur shqiptar ka treguar në emisionin “Botërori Katar 2022” në “Ora TV” momentin kur ka qarë për shkak të futbollit. Ai rrëfen se fitorja e Shqipërisë kundër Greqisë në vitin 2004 e ka bërë të derdhë lotë.
“Kam qarë kur është luajtur Shqipëri-Greqi në vitin 2004. Kemi fituar 2-1. Kanë qenë dy gola të jashtëzakonshëm të Aliajt dhe Muratit. Unë kam qenë në transmetim. Kam qarë sepse kemi qendruar edhe 1 orë e gjysmë në transmetim pasi mbaroi ndeshja në rrugët e Tiranës. Mijëra njerëz në shesh që nuk iknin në shtëpi deri në orën 2-3 të mëngjesit dhe njerëz që qanin dhe ti qaje, sepse është ndjenjë. Është shpirtërore. Kishte brohorima dhe flamuj. Ndeshja ka filluar që në mëngjes atë ditë. Atë ditë ka qenë edhe rekordi i flamujve të shitur”, ka treguar Dëfrim Methasani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/