Besnik Prenga mbetet padyshim një nga punëtorët e heshtur që vazhdon të prodhojë suksese te Lokomotiva e Zagrebit në gjetjen e lojtarëve, duke i dhënë edhe një dorë të madhe atyre që vijnë nga Shqipëria. Vetëm shihni përbërjen e skuadrës kroate, atje ku një “ushtri” e madhe e futbollistëve vijnë pikërisht nga vendi ynë.
Në një intervistë dhe rrëfim të veçantë për “Players on Focus”, Prenga i tregon të gjitha. Krenaria më e madhe është fakti se ka kaluar në duart e tij lojtarë si Brozovic, por edhe ata shqiptar, ku përfshihet edhe Myrto Uzuni. Ndërsa kur flet për kulmin si trajner, ndërsa drejtojë përkohësisht edhe Laçin, do të ishte marrja e Kombëtares së Shqipërisë.
Çfarë kujtoni nga fillimet tuaja në futboll?
Kam lindur në qytetin e Rrubikut, banorët e të cilit janë shumë sportdashës dhe shumicën e kohës flasin për sportin, sidomos për futbollin. Atje kam nisur edhe hapat e para në futboll. Me vajtjen në shkollën e mesme të futbollit “Loro Boriçi” në Tiranë dhe aktivizimin në ekipin e Shkëndijës, nisi dhe rruga ime drejt futbollit profesionist. Me mbarimin e mjeshtërisë sportive, vazhdova studimet në Institutin e lartë “Vojo Kushi”, po në Tiranë. Gjatë periudhës së studimeve u aktivizova me ekipet e Studentit, Kastriotit(Krujë) dhe Partizanit.
Po bëhen tashmë rreth 20 vite nga koha kur vendosët të tërhiqeni nga futbolli i luajtur.A ka diçka që ju ka mbetur peng nga karriera juaj si futbollist?
Kur kthej kokën pas, në vitet e karrierës sime si futbollist, mendoj se i kam realizuar ëndërrat e mia. Kam luajtur me ekipin e qytetit tim “Minatori”, me ekipin më popullor në Shqipëri “Partizani”. Kam luajtur me ekipin kombëtar të Shqipërisë. Ku ka nder dhe kënaqësi më të madhe se sa të përfaqësosh vendin tënd… Në vitin 1992, në moshën 22 vjeçare, arrita të transferohem në Kroaci, ku përveç ekipeve të tjera kam luajtur edhe për Dinamo Zagreb. Gjithashtu kam luajtur në Izrael dhe Kuvajt.
Gjatë karrierës si trajner, cila ka qenë ndeshja më e vështirë që ju është dashur të drejtoni?
Ndeshja më e vështirë që më është dashur të drejtoj, ka qenë ndeshja ndaj Anorthosis (Qipro) në “Europa League”. Ishte ndeshja e kthimit, pasi ndeshjen e parë Laçi e kishte humbur 2-1 në Qipro. Ishte prezantimi im i parë me sportdashësit laçjan, ku shumica ishin miqtë e të afërmit e mi dhe nuk do të doja t’i zhgënjeja. Fituam 1-0 me golin e Uzunit dhe u kualifikuam në turin tjetër.
Formacioni që parapëlqeni të hidhni në fushë?
1- 4 -3 -3 është sistemi që më pëlqen më shumë, por në ekipet që kam drejtuar kam luajtur edhe me sisteme të tjera si: 1 -4 -2 -3 -1 ; 1 -4 -1 -4 -1, por edhe 1 -3 -5 -2 dhe 1 -4 -4 -2. Kjo në bazë të lojtarëve që ke në dispozicion si dhe lojës së ekipit kundërshtar.
Si e kujtoni eksperiencën tuaj në Superligën Shqiptare? Si u mundësua kalimi në krye të pankinës kurbinase?
Ishte një eksperiencë e bukur për mua në aspektin profesional. Ishte hera e parë që punova dhe menaxhova lojtarë shqiptar. Ishte diçka e bukur, por nuk zgjati shumë për vet faktin se isha i angazhuar në Zagreb tek klubi i Lokomotivës. Kalimi im tek Laçi ishte dëshira e Presidentit z. Pashk Laska i cili është një mik i hershëm i imi, gjithashtu edhe dëshira ime të ndihmoja sadopak Laçin.
Jeni cilësuar si një “gjahtar talentesh”.Në këndvështrimin tuaj, sa premtues është brezi i ri i futbollistëve në Shqipëri?
Jam i kënaqur me punën që kam bërë, për sa i përket zbulimit dhe afrimit të elementit të ri tek Lokomotiva Zagreb.
I kënaqur është edhe klubi i Lokomotivës me punën time. Megjithatë, kënaqësia ime është e dyfishtë, sepse ndër shumë lojtarë që kam afruar në klub, ata shqiptarë me të vërtetë po tregojnë cilësi si nga ana sportive dhe nga ana njerëzore. Mendoj se në Shqipëri ka shumë fëmijë të talentuar në ekipet e moshave. Duke parë zhvillimin në infrastrukturë, rritjen e nivelit stërvitor nëpër klube, por edhe punën e shumtë dhe të mirëorganizuar nga FSHF sa i përket vëzhgimeve, seleksionimeve dhe stërvitjeve në ekipet kombetare të moshave, besoj se do të rritet më shumë niveli dhe cilësia e futbollistëve të rinj.
Eksperiencat në krye të pankinave kroate duket se kanë rezultuar të suksesshme,madje bazuar në karrierën tuaj si trajner, do ju konsideroja një “fanatik” të futbollit kroat. Përveç Superligës Shqiptare a e keni menduar kalimin në një ligë tjetër?
E vërtetë. Duke parë karrierën dhe eksperiencën time në Kroaci, duhet të jem i kënaqur. E rëndësishme është që në çdo klub që kam punuar, kam dhënë veten, pra kam punuar në mënyrë serioze dhe maksimale që lojtarët të cilët kam stërvitur të rriten si nga ana tekniko – taktike, fizike dhe psikologjike, pa harruar atë që është kryesorja, edukimin e tyre. Kam pasur kënaqësinë dhe mundësinë që si trajner të rritem çdo ditë. Kam punuar shumë me të rinjtë(u19) dhe jam shumë i lumtur kur shoh lojtarët që kanë kaluar nëpër duart e mia, sot luajnë në nivele të larta si Brozovic (InterMilano),Petkovic(Dinamo), Majer (Dinamo),Ivanusec(Dinamo), por edhe lojtarët shqiptar si Uzuni, Mersini, Cokaj e Tuci, që janë lojtarë të ekipeve kombëtare të Shqipërisë, si dhe Kastrati (Kosova).
Sa i përket ofertave të kampionateve të tjera, kam pasur, por nuk kam qenë i interesuar, sepse tek klubi im Lokomotiva, kemi filluar një projekt që ka nevojë për mua… Besoj që kur të vijë koha do të kaloj në një kampionat tjetër.
Sa keni ndikuar ju tek Herdi ,në zgjedhjen për të qenë pjesë e botës së futbollit? A ndiheni i lumtur që djali juaj ka vendosur të hedh të njëjtat hapa si ju?
Mendoj se Herdi ka bërë një zgjedhje të natyrshme, pasi qysh në fëmijëri shumë gjëra që e kanë rrethuar kishin të bënin me futbollin. Më ka ndjekur në stadiume kur isha futbollist dhe më pas si trajner. Ka qenë zgjedhja e tij, por unë kam qenë dhe jam shumë i lumtur, si për këtë zgjedhje, ashtu dhe karrierën e tij.
Ç’mendoni për përfaqësuesen tonë të futbollit? Si do ti përgjigjeshit një ftese të mundshme për të marrë drejtimin e stolit kuq e zi?
Kombëtarja jonë e futbollit po kalon një fazë jo të sigurt në ndeshjet dhe paraqitjet e saj. Megjithatë kur shikon se çdo ditë, çdo javë e çdo muaj në kampionatet e ndryshme në Europë lojtarët shqiptar po shpërthejnë dhe po tregojnë cilësi, kjo na jep besim që djemtë tanë së shpejti do të na dhurojnë lojë dhe rezultate të mira. Mendoj se Kombëtarja është në duar të sigurta dhe të gjithë duhet ta mbështesim Reja-n në punën e nisur. Sa i përket ftesës që të drejtoja ekipin kombëtar, nuk besoj se mund të ketë trajner që do ta refuzonte. Për mua do të ishte kulmi i karrierës. /Sport Ekspres/