Nga Klaudio Ndreca
Lacio është në kërkim të një tjetër sulmuesi për sezonin e ardhshëm që do të jetë si alternativë për Ciro Imobilen. Ky i fundit është i padiskutueshëm te lacialët ndërsa është kthyer në një makineri të mirfilltë goli.
Por kush do të jetë zëvendësuesi i tij? Igli Tare është duke punuar për dy lojtarë shumë të njohur për tifozët shqiptarë, që kanë luajtur edhe në Superiore më herët. Plani A është transferimi i Vedat Muriqit, me Igli Taren që po avancon me bisedimet duke shfrytëzuar edhe faktin se e njeh më mirë sulmuesin sesa drejtorët e tjerë sportiv që e kërkojnë për ta blerë.
E megjithatë në fund do të shihen paratë e vendosura në tavolinë dhe nëse dikush tjetër do të ofrojë më shumë, atëherë Muriqi nuk do të shkojë te Lacio. E për këtë gjë Tare po e mban Kaleb Ekubanin si kartën rezervë. Sipas asaj që raportojnë mediat në Ganë, Ekubani është plani B për të shkuar te Lacio në rastin nëse Muriqi nuk do të mbërrijë në kryeqytetin e Italisë. /Sport Ekspres/