Pritet aktivizimi i Kalarit dhe Malotës. Mesfusha nuk ndryshon, sulmi mes Çanit dhe Sukajt
Partizani i ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen kundër Skënderbeut. Stafin teknik dhe trajneri Juliano kanë dhënë direktivat e fundit në seancën stërvitore të zhvilluar ditën e djeshme në kompleksin sportiv të Kamzës. “Demat” zbritën në fushën në orën 10:30, tekniku Juliano zhvilloi një program tekniko-taktik. Minutazhi i stërvitjes ishte më i vogël se zakonisht, pasi numri një i stolit nuk donte që të rëndonte edhe lojtarët fizikisht, duke llogaritur edhe udhëtimin drejt Pogradecit. Në kushte të tilla është mjaftuar përsëri me një program me cirkuite fizike dhe ushtrime të lehta me topin.
LWMSHI –Trajneri i Partizanit i bën lëmsh të gjithë. Numri një i stolit ka ndryshuar përsëri gjithçka në seancën e fundit stërvitore. Ai ka ndarë ekipin në dy formacione duke ndryshuar krejtësisht ujërat. Në formacionin me jelekë ka preferuar të aktivizojë mbrojtjen me Ibrahimin, Malotën, Atandën dhe Kalarin. Batha dhe La Kamera përpara. Ndërsa Trash, Bardhi dhe Herrera përpara. Sukaj në majë. Në formacionin tjetër në mbrojtje ka qenë Selvaxhio, Krasniqi, Çela dhe Kotobelli. Progni, Adorjan dhe Xhixhua përpara, ndërsa Çani në maje. Vetë futbollistët janë konfuz për formacionin titullar.
FORMACIONI – Në portë nga minuta e parë do të luajë Alban Hoxha. Portieri do të zërë vendin e tij mes shtyllave duke qenë një siguri më shumë për Partizanin. Në mbrojtje do të vendoset në krahun e djathtë Ibrahimi. Në qendër të mbrojtjes do të luajë nga minuta e parë Atanda dhe përkrah tij do të jetë Malota. Lezhjani kthehet pas operimit dhe duke parë që Krasniqi kaloi një gjendje gripale, Juliano i ka besuar fanellën e titullarit Malotës. Një tjetër lëvizje që nuk pritej është aktivizimi i Kalarit nga minuta e parë. Mbrojtësi i krahut të majtë i ka dhënë më shumë besim Julianos se Kotobelli, dhe duket se ndeshja kundër Skënderbeut i është besuar eksperiencës së tij. Batha dhe La Kamera para mbrojtjes. Progni dhe Trashi nga krahët, Adorjan në qendër, ndërsa dilema e madhe mbetet se kush do ta nisë si titullarë Çani apo Sukaj. Të dy janë të gatshëm për të luajtur, vendimi i mbetet Julianos.
DETYRAT – Juliano ka kërkuar nga ekipi i tij mobilizim dhe dëshirë. Ideja e mëparshme për të sulmuar në krahun e Vangjelit vazhdon të mbetet në fuqi, por ndryshimi është se Kalarit i është dhënë shumë besim tani. Trajneri Mark Juliano kërkon që të godasë aty, ku Skënderbeu e pret më pak. Ndërkohë ka pasur edhe dilemat e tij për formacionin. Tekniku i kuq ka shumë alternativa dhe shumë cilësinë grup dhe menaxhimi i tyre është i vështirë.
Formacioni i mundshëm
Hoxha – Ibrahimi, Malota ,Atanda, Kalari – Batha, La Kamera – Trashi, Adorjan, Progni – Sukaj (Çani)