Interi mposhti Lazion me rezultatin 3-1, duke u ngjitur në vendin e parë në kampionat. Zikaltërit përfituan nga gabimi i Milanit ndaj Spezias duke rrëmbyer kreun e klasifikimit. Golat u shënuan nga Lukaku dhe Lautaro Martinez, të cilët tregojnë se janë një dyshe e përkryer. Pavarësisht arritjes së pozitës së parë, tek Interi po mendojnë për ndeshjen e radhës, që është derbi i Milanos.
Në përfundim të sfidës Inter-Lazio, mbrojtësi qëndror, Milan Skriniar foli për fitoren ndaj Lazios, duke theksuar se kanë punuar fort për të arritur në vendin e parë, megjithatë nga dita e nesërme do të përgatiten për superndeshjen Milan-Inter.
“Cfarë fitore ka qenë kjo? Lazio është një skuadër shumë e mirë, kishin fituar gjashtë ndeshje radhazi dhe ne e dinim cfarë ndeshje na priste. “Ju nuk e keni idenë se sa shumë kemi punuar ne për të arritur këtu. Prandaj jemi shumë të lumtur për këtë fakt. Le ta gëzojmë këtë fitore por ju them se nga nesër të gjithë mendjen tek Milani. Do te punojmë për të përgatitur derbin në mënyrën më të mirë të mundshme.”- u shpreh Skriniar. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/