Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 23-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kryesuese, Prishtina, ka barazuar si vendase kundër Trepçës’89, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, me rezultat 0:0. Prishtina që nga minuta e 61-të ka luajtur me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Mankendas, pas dy kartonëve të verdhë.
Barazimin e Prishtinës e ka shfrytëzuar Drita që me fitore kundër Drenicës, 3:1, e ka zvogëluar ngecjen me të në vetëm 2 pikë. Golat për Dritën i shënuan Kastriot Rexha (4’), Liridon Leci (12’) dhe Xhevdet Shabani (62’), derisa golin e vetëm për Drenicën e realizoi Armend Abazi (68’). Fitore të rëndësishme ka realizuar edhe Llapi, që e mposhti Vllazninë, me rezultat 2:0, me golat e Dardan Jasharit (75’) dhe Edon Zeqirit (89’).
Duel me finish dramatik ishte ai ndërmjet Feronikelit dhe Besës, që u mbyll me fitoren e skuadrës nga Drenasi, me rezultat 2:1. Feronikeli kaloi në epërsi në minutën e 88-të, me golin e Albutrinit Morinës, por vetëm dy minuta më pas Besa barazoi shifrat në 1:1. Megjithatë, as gëzimi i mysafirëve nuk zgjati shumë, ngase në minutën e 3-të shtesë Haxhi Shala realizoi golin e fitores për Feronikelin, për rezultatin 2:1.
Ndërkohë, Vëllaznimi ka shkëputur një pikë tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke barazuar me Lirinë n ë Prizren, 1:1. Të parët në epërsi kaluan prizrenasit me golin e Artur Maganit, në minutën e 25-të, derisa rezultatin e barazoi Henry Chibueze, në minutën e 55-të. /ffk-kosova.com
Vala Superliga
Llapi – Vllaznia 2:0
Feronikeli – Besa 2:1
Prishtina – Trepça’89 0:0
Drita – Drenicën 3:1
Liria – Vëllaznimi 1:1
Gjilani – Flamurtari E ENJTE