Ousmane Dembele pësoi një dëmtim të vështirë që do e lërë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta. Lëndimet në periudhën e tij te Barcelona kanë qenë të shpeshta dhe për këtë arsye tifozët kanë nisur të kritikojnë lojtarin për mënyrën e tij të pashëndetshme të jetesës, duke nisur nga ushqimi e deri te orari i gjumit.
Por Dembele duket se ka nisur të ndryshojë dietën e tij dhe këtë e konfirmon edhe kuzhinieri i punësuar nga francezi. Anthony Audebaud shprehet se sulmuesi ka hequr dorë nga ushqimi i shpejtë apo edhe pijet me gaz, të cilat i ka zëvendësuar vetëm me produkte të freskëta. Ndërsa sa i përket orarit të gjumit, kuzhinieri i Dembele thotë se futbollisti i klubit spanjoll nuk bën një jetë nate, por fjetja në orët e vona është një problem i brezit të ri, ku përfshihen edhe emra si Mbappe, Hernandez etj.
“Nuk ka më asnjë produkt të gatuar më parë ose pije me gaz, ka vetëm produkte të freskëta dhe të shëndetshme. Ousmane është i mirë në të luajturit futboll dhe mendon se vetëm kaq mjafton, por ai po rritet dhe po mëson. Sot ai ha produkte më të shëndetshme dhe ka shtuar edhe perimet, sepse më parë ata kurrë nuj janë kujdesur për të aq shumë. Ai është një djalë shtëpiak dhe i qetë, kurrë nuk ka festa në shtëpinë e tij. Unë i imponova oraret e vakteve sepse ai ma kërkoi një gjë të tillë, Dembele është shumë profesionist.
Të gjithë lojtarët e gjeneratës së re shkojnë vonë në shtrat. Nuk janë njerëz të mëngjesit. Ora 12 ose 1 është herët për tad he kjo nuk ndodh vetëm me Dembele. Nëse flasim për të, atëherë duhet të përmendim edhe Mendy, Mbappe apo Lucas Hernandez. Nuk mund të kërkojmë nga Dembele dhe Lloris që të sillen njësoj, pasi nuk kanë të njëjtën mënyrë jetese. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Thjesht muskujt e tij nuk kanë duruar”, ka thënë kuzhinieri i Dembele./Sport Ekspres/