Jepini një fanellë Luizës!

Ndërtojmë stadiume dhe kulla të mëdha, ulim fondet për sportet dhe detyrojmë Federatat të ngushtohen dhe në atë që është e detyrueshme

Gjergj Vyshka

Jepini një fanellë Luizës! Kjo do të ishte thirrja e duhur për Federatën Shqiptare të Atletikës, po pse jo dhe për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Sepse për hir të së vërtetës duhet pranuar se jemi “të lirë në miell” dhe “të shtrenjtë në krunde”. Përkthyer ndryshe, ndihemi mirë që kemi bërë stadiume dhe kulla, ndërsa deri më tani janë ndërtuar “Elbasan Arena”, apo dhe “Loro Boriçi”, të dyja me pista me tartan për atletikën, dhe shumë shpejt po vjen dhe “Arena kombëtare”. Apo ndihemi mirë që kemi bërë parkun olimpik dhe sallën olimpike “Feti Borova”, megjithëse dhe kjo e fundit është gjysmake, teksa ende nuk e ka impiantin e ngrohjes dhe ftohjes. Por çfarë bëhet për atë që quhet imazh përfaqësimi në arenën ndërkombëtare?

MESAZHI – Vetë Luiza Gega, e cila do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në Birmingam, tregon në faqen e saj në Instagram: “Kjo do të jetë uniforma në Birmingam që mua në fakt më pëlqen shumë, por sigurisht që e bleva vetë dhe këto vijat e kuqe i ngjyrova vetë dhe këtë flamurin e bukur shkova e stampova vetë”. Dhe e gjithë kjo situatë vjen nga fakti që Federata Shqiptare e Atletikës është me fonde të shkurtuara krahasuar me vitin e kaluar. Aq sa nuk do të ketë përfaqësues zyrtar në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në Birmingam, por vetëm trajnerin Stërmasi dhe atleten Luiza Gega.

Nënkampionia e Evropës për 2016-ën në 3000 metra me pengesa, më tej po në instagram do të vijonte: “Dhe pse shteti është shumë i varfër, unë s’jam, por shkoj i blej, i vendos një Albania të bukur dhe nuk ndihem fare ndryshe në krahasim me shtetet e tjera, sepse nuk jam ndryshe. Ndryshe janë këto tipat që ju keni lënë në drejtim”. E ky duhet të jetë mesazhi më i fortë për të kuptuar se sportistët mbi të gjitha kanë nevojë për imazh. Që të kuptohet për atë që vuajnë atletët po sjellim vetëm shembullin e pjesëmarrjes në Kampionatin Ballkanik të Novi Pazarit të vitit të kaluar, atje ku numri i kufizuar i fanellave bënte që të kalonin dorë më dorë, sidomos kur ishte fjala për stafetat. Kemi dëgjuar nga ankesat më të ndryshme të sportistët, fanella jo, ndihmë mjekësore jo, financa jo dhe gjithçka me xhepat e veta.

Atëherë për çfarë bëjnë sport këta?! Hidhërohemi kur na vjen dopingu në derë, por në të njëjtën kohë gëzohemi dhe turremi sa më shpejt për medaljet. Që t’i kemi mendjefjetur dhe të plotësuar sportistët, në mënyrë që të përqendrohen tek rezultati e të mos merren me këto “kinkaleri”, që në fakt janë të Federatave, atëherë plotësojeni gjithçka. Fonde të ulura do të thotë më shumë degradim për sportin në përgjithësi, atje ku nuk përfiton askush, por vetëm se rrisim nivelin e pakënaqësisë. Ndaj jepini një fanellë Luiza Gegës, që nesër, apo në vazhdim ta kemi të garantuar medaljen. Sepse ajo di të na nderojë. “Për herë të katërt përfaqësoj Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Sallave të mbyllura. Sigurisht sepse jam e vetmja që kap standardin e vendosur nga IAAF, sepse më duan më shumë prandaj dhe shkoj”, ka përfunduar Luiza Gega në publikimin e fanellës së blerë në Instagramin e saj…

One thought on “Jepini një fanellë Luizës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *