Kukësi-Partizani është parë si një finale për biletën e Europës. Të kuqtë kanë arritur që të fitojnë me shifrat 1-2, në një ndeshje që ishte spektakolare dhe jashtë normales për Superioren, të paktën për 45 minuta.
Ekipi i Mehmetit dhuroi spektaklin e vërtetë teksa që në fillim goditi traversën. Më pas ishte Skuka që iu afrua golit pas kaloi portierin, por ishte Pëllumbi që largoi topin nga vija fatale. Për të kaluar te momenti i Stenio Junior.
Dy gola me kokë të shënuara në 15 minuta, ku fillimisht ishte krosimi i mrekullueshëm i Carës dhe më pas i Skukës që u shfrytëzua më së miri nga Junior. Tetë kartonë të verdhë janë dhënë në vetëm 30 minuta për shkak të tensionit të madh.
Pjesa e dytë nisi me gafën e Belicës që i dha mundësinë Milunovic për të shënuar në të 50 dhe për të hapur sfidën. Por deri në fund, rezultati mbeti i njëjti, me Kukësin që ndihet i huaj në shtëpi pasi nuk ka arritur asnjë fitore në dy ndeshjet. Në fund të dy ekipet e mbyllën me 10 lojtarë pasi Maguite u ndëshkua me të kuq për gjest antisportiv ndaj Lulajt dhe De Lukas që ndërhyri keq ndaj Carës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Longo: “Ne kemi bërë të njëjtat gabime, idiote. I dhamë mundësinë për të vertikalizuar. Kemi punuar gjatë gjithë javës për këtë dhe ia kemi dalë, por kur dalim në fushë bëjnë të njëjtat gabime. Partizani ka cilësi të pabesueshme dhe unë nuk e di sesi ky ekip nuk e ka fituar Superioren apo të paktën të kishte rivalizuar Tiranën. Kishim raste dhe nuk arritëm të shënonim nga 4 metra distancë. Duhet të ndryshoj ky fat që kemi, që duhet të godasim shtyllën për të shënuar gol pastaj”.
Mehmeti: “Pritej që të kishte tension pasi të dy ekipet kishin të njëjtin objektiv. Partizani duhej të kishte shënuar 3 ose 4 gola në pjesën e parë. Në të dytën sigurisht që do të mbronim më tepër dhe të kundërsulmonim. Kishim sërish mundësi me Junior dhe me Rrapajn që duhej të pasonte për te Cara. Ndeshja më e mirë? Normalisht është një nga ndeshjet më të mira duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes. Lojtarët e ndjejnë shumë. E kanë interpretuar siç ne e kishim përgatitur ndeshjen. Unë kam fjalët më të mira për të gjithë. Meritojnë më tepër se gjithçka. Prapavija? Futbolli është lojë gabimesh dhe duhet parë edhe aspekti psikologjik. S’mund të ndërtosh aq shpejt e t’i gjesh kësaj skuadre edhe gabime, normal që do t’i gjesh. Mendoj se futbolli është i bukur se mund të humbësh ato situata siç e bëri Junior. Unë kam vetëm falënderime. Shpresoj t’i rregullojmë gjërat në vazhdim”.