Kategoria Superiore është pasuruar me një tjetër lojtar që pritet të shtojë klasin në fushën e lojës. Ferhan Hasani është nga ata futbollistë që di të bëjë diferencën dhe këtë e tregon edhe CV-ja e pasur në arenën europiane. Në intervistë me gazetaren Enxhi Biba në “Sport News” në “News 24”, sulmuesi nga tetova tregon më tepër detaje mbi përshtatjen me klubin, të shkuarën e tij në futboll, si dhe objektivat që ka këtë sezon me Partizanin.
“Më kanë pritur shumë mirë dhe jam i kënaqur. Të them të drejtën sa i përket qytetit jam pak i habitur në mënyrë të mirë. Njerëzit janë shumë të gjallë dhe qyteti është shumë në lëvizje. Edhe klubi më ka pritur shumë mirë. Më kanë treguar respekt.
Unë më herët e kam thënë se dua të luaj në Shqipëri një ditë përpara se të mbyll karrierën. Por ndonjëherë gjërat nuk vijnë ashtu siç ne e mendojmë. Ky është futbolli dhe besoj se është momenti tani. Kam ende forcë për të dhënë. Unë jam futbollist dhe jam i hapur për të gjitha ofertat. Në atë kohë Partizani e ka pasur merkaton të mbyllur dhe ka pasur kontakte mes meje dhe Tiranës. Kanë kontaktuar me menaxherin tim. Kam lexuar disa shifra në media, nuk janë asnjëra e vërtetë. Ka pasur kontakte të them të drejtën, jo me mua por me menaxherin tim.
Kur bëra hapin nga Shkëndija në Volfsburg ka qenë një hap shumë i madh në karrierën time. Nuk kisha shumë hapësira për të luajtur. Mendova të iki në një ligë pak më të ulët, por ku të jem më i vlerësuar. Mendova se në Danimarkë Brondbi do të jetë zgjedhja e duhur. Aty gjithçka shkoj mirë. Pastaj pati arsye të tjera që u ktheva te Shkëndija. Por asnjëherë nuk jamë dorëzuar.
Kam komunikuar me profesorin. Ai pret nga mua si çdo futbollist tjetër, të jap maksimumin në fushë e të ndihmoj ekipin. Nuk ka këtu diferencë mes meje dhe të tjerëve. Nëse duam të bëjmë gjëra të mirë, duhet ti bëjmë si grup dhe jo si individ. Kur e shohim në anën e mediave e shton pak presionin. Kjo nuk është lojë individuale, por kolektive. Por nëse nuk e tregoj në fushë, atëherë ato (emërtimet si lojtar “big“) nuk vlejnë. Sa i përket Hasanëve, vërtetë jemi bërë shumë. Kur thërrasin Hasan ne themi cili është. Unë i them çunave më thërrisni më mirë “Buba” që të dallohemi pak.
Dështim nëse nuk fitojmë titullin me këto afrime? Nuk mund ta quajmë dështim. Te Vllaznia kanë 6 muaj që luajnë bashkë të gjithë. Me afrimet tona, do na duhet kohë. Besoj se çfarë do të kapim këtë vit do të jetë pozitive. Por vitin tjetër ëshë punë tjetër, as që diskutohet”, ka thënë Ferhan Hasani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/