Qendërmbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica, luajti në pjesën e dytë sot dhe shënoi golin e fitores kundër Laçit, duke konfirmuar se është në formë perfekte. Pas ndeshjes, futbollisti i Kosovës ka komentuar fitoren e vuajtur ndaj Laçit, ndërsa ka konfirmuar se në janar pret të largohet nga Superiorja.
“Ishte një ndeshje e vështirë, ndoshta nuk e prisnim kështu. Luajtëm një ndeshje të mirë dhe humbëm shumë raste, ndërsa Laçi na vendosi në vështirësi në momente të caktuara, ndaj jam i kënaqur për fitoren.
“Partizani i Beogradit në horizont? Në fakt, mendojmë për Lushnjen fillimisht. Megjithatë, e pranoj që sidomos për ne kosovarët është një ndeshje e veçantë dhe shumë e rëndësishme, nuk harrohet ajo që ka kaluar Kosova me Serbinë. Do të japim gjithçka për të fituar.
“E ardhmja? Kam biseduar me presidentin dhe menaxherin Shkumbin Qormemeti, të shohim në dhjetor. Jam i kënaqur që po paraqitem mirë me Skënderbeun dhe me Kosovën, me 90% në janar largohem. Çdo futbollist ëndërron të shkojë sa më lart dhe mendoj se ka ardhur momenti edhe për mua”.