Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, natyrisht ka qenë i kënaqur me fitoren në kupë ndaj Teutës, por gëzimi është zbehur nga dëmtimi serioz i Bajram Jashanicës në gju.
“Na erdhi shumë keq për Jashanicën. Në mungesë të Vangjelit, e provova si mbrojtës të djathtë dhe pësoi një dëmtim serioz në gju. Shpresojmë të jetë dëmtim sa më i vogël.
“Kupa apo kampionati? Unë mendoj që deri tani kemi bërë mirë, edhe në kampionat edhe në Kupë. Kemi një potencial lojtarësh që mund t’i synojnë të dyja. Por duhet të jemi me këmbë në tokë, se pavarësisht një rezultati pozitiv në ndeshjen e parë, nuk duhej të shpreheshim në atë mënyrë, pasi një ekip si Skënderbeu duhej të ishte në ekuilibër”.
“Mendoj se lojtarët me eksperiencë dhe në një farë moshe e arrijnë formën më të mirë duke luajtur më shpesh. Së dyti, kam biseduar edhe me lojtarët të ashtuquajtur të rinj, sepse nuk i ndajmë në të vjetër e të rinj. Të gjithë ata që duan të marrin fanellën e titullarit, duhet të tregojnë se e meritojnë, pak rëndësi ka si quhesh.
“Shorti? Të tre rivalët në gjysmëfinale janë rivalë të denjë dhe kanë karakteristika të ndryshme. Nuk kam preferenca të veçanta, çdo rival do ta vlerësojmë maksimalisht. Përderisa janë në gjysmëfinale, të gjithë e kanë merituar se kanë bërë rrugëtim deri këtu”.