Januzaj, goli shqiptar i Belgjikës në qytetin më pak rus të Rusisë

Botërorit 2018 në Rusi iu shtua një tjetër gol shqiptar. Adnan Januzaj i dha fitoren Belgjikës ndaj Anglisë, pasi më parë kishin shënuar Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Blerim Xhemaili për Zvicrën.

Në Kaliningrad mund të kishte shënuar vetëm ai. Adnan Januzaj! Djaloshi që pas shpërthimit të befasishëm me Mançester Junaitid mund të zgjidhte ndërmjet pesë ekipeve përfaqësuese. Belgjikës, prej pasaportës dhe sepse ka lindur në Buksel, Shqipërisë dhe Kosovës prej origjinës, Turqisë nga gjyshërit, apo edhe Anglisë, që mendoi seriozisht ta afronte xhevahirin e zbuluar në Premierligë, diçka e lejueshme pas pesë viteve të kaluara në Mançester.

Ndërthurja e multikulturës dhe integrimit, i cili gjeti golin në një qytet që deri në vitin 1945 nuk i përkiste Rusisë, por… Gjermanisë. 450 mijë banorë me etni polake dhe lituaneze. Thënë ndryshe, qyteti më pak rus i Rusisë, me situatën që ndryshoi vetëm pas Luftës së Dytë Botërore.

Në të kaluarën Kaliningradi quhej Konigsberg dhe ishte kryeqyteti i Prusisë Lindore. Pavarësisht ndikimit sovjetik, aty ende flitet gjermanisht. Fati apo rastësia, quheni si të doni, zgjodhi që në këtë qytet Januzaj të shënonte super-golin që i dhuroi Belgjikës kreun e Grupit G, duke zbritur Anglinë në vendin e dytë.

Histori kulturore, që prekin origjinën e zgjedhjeve, të flamujve, e sot… edhe të futbollit. Një gol me klas kundër asaj që mund të ishte Anglia e tij. Në vitin 2011 Mançester Junaitid e bleu kur ishte vetëm 16-vjeçar, duke paguar plot 300 mijë euro te Anderlehti. Trajneri I atëhershëm, Mojs, i dhuroi debutimin me ekipin e parë të Djajve të Kuq, ndërsa pak ditë më vonë Januzaj ia shpërbleu me dy gola në portën e Sandërlendit. Legjenda Rajan Gigs ndërkohë i dorëzoi fanellën historike me numrin 11.

Mes pritshmërive në Olld Traford dhe betejës së pesë vendeve për ta marrë, Adnan Januzaj nuk e përballoi presionin. U transferua te Borusia e Dortmundit dhe Real Siciedad, ku sezonin e kaluar shënoi vetëm 4 gola. Nga “i destinuar” të bëhej yll u shndërrua në dështim. Pavarësisht se është vetëm 23 vjeç. Pjesëmarrja në botëror ishte në dyshim deri në momentin e fundit.

Martinez vendosi ta grumbullonte dhe Januzaj ia shpërbleu me golin e fitores 1-0 përballë Anglisë. Belgjika u kualifikua si e para në grup, duke iu përgjigjur të gjithë pretendenteve të tjera. Në këtë edicion të Kupës së Botës janë edhe Djajtë e Kuq. Në Rusi 2018, falë Kaliningradit është edhe Adnan Januzaj. Shqiptari që zgjodhi Belgjikën, por që në moshë fare të re po luan Botërorin e dytë në karrierë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *