“Jam njeri i ndershëm, nuk i bëhem barrë klubit”, Di Biaxho jep dorëheqjen: Do heq dorë nga kontrata 2-vjeçare

Përballja e sotme mes Dinamos dhe Teutës ka ofruar emocione të forta. Dinamovitët janë larguar me kokën ulur nga stadium, teksa bregdetarët përmbysën rezultatin në 2-3 në minutat e fundit. Pas përfundimit të kësaj sfide, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Di Biaxhi (Dinamo): “Le të themi që u tërhoqëm dhe të kontrollonim topin për të shënuar golin e tretë. Por ndeshja nuk kishte mbaruar. Ndoshta menduam se mbaroi përpara kohe. Kam shumë besim te këta djem. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë i ndershëm, korrekt dhe i sinqertë. Për këtë arsye, unë sot do të jap dorëheqjen. Në respekt të një klubi të madh siç është Dinamo. Ndoshta nuk kam arritur t’i përcjell lojtarëve gjithçka që di. Jam këtu për të falenderuar klubin për mundësinë që më kanë dhënë, ata po bëjnë një punë shumë të mirë. Duke qenë se kam qenë gjithnjë i sinqertë dhe i ndershëm, do të heq dorë nga kontrata ime prej dy vitesh, sepse nuk dua të jem barrë për këtë klub. Në jetën e një njeriu respekti dhe ndershmëria në situata të tilla vlejnë më shumë se një fitore. Këtu në Shqipëri jam ndjerë shumë mirë dhe ju falenderoj. Kam ca leksione që im atë më ka dhënë dhe unë i ndjek gjithmonë në jetë. Prandaj jam i emocionuar. I falenderoj shumë shqiptarët”.

Martini (Teuta): “Edhe në pjesën e parë kur Dinamo udhëhiqte 1-0 ne luajtëm shumë mirë. Patëm shumë raste. Nuk e meritonim atë rezultat në pjesën e parë. Në golin e dytë u kapëm në një kundërsulm, nga i cili duhet të zëmë mend. Nuk mund të shthuremi ashtu. Pastaj e kemi pasur lojën nën kontroll. Ne, është e vërtetë që na duhet në sulmues goli. Por forca e këtij ekipi është grupi. Për një sulmues vuan treçereku i Superiores. Ajo që duhet të korrigjojmë është pësimi i dy golave. Vërtetë kemi nevojë për një sulmues, por shënojmë tre gola dhe pësojmë dy. Ata dy gola të pësuar më dhembin shumë. Këta djem e kanë karakterin për të luftuar. Është problem mënyrë se si i pësojmë golat. Nga dëshira e madhe për të shkuar përpara për të shënuar, pësojmë gol. A mund të përballemi me këdo? E kemi bërë. Edhe me Rrogozhinën, e kemi bërë edhe me Shijakun. Çdo ekip në Superiore mund të përballet me këdo”./Halti Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *