“Jam krenar, lojtarët nuk u dorëzuan”, Memelli fut katër ekipe në vorbullën e mbijetesës: Do vendoset javën e fundit

Dy ekipet e kryeqytetit kanë fituar në ndeshjet e orës 16:45. Tirana arriti që t’ia dilte me shifrat 3-2, pavarësisht se nuk ishte kaq e mundimshme për të mbërritur te 3 pikët. Taulant Seferi shënoi në të 15, ndërsa Limaj gjeti golin nga distanca në të 42. Me nisjen e pjesës së dytë ishte De Silva që trefishoi shifrat, ndërsa Zguro shënoi golin e parë për Skënderbeun në të 65 dhe Mensah që ngushtoi shifrat vetëm në sekondat e fundit.

Më shumë histori nuk kishte ndeshja tjetër mes Teutës dhe Partizanit. Të kuqtë shënuan pas 120 sekondash me Skukën, që shfrytëzoi pasimin e bukur të Kallakut. Dyfishimi i shifrave erdhi nga Cara dhe Sota në të dytën do të shënonte golin e tretë. Për t’i vendosur kapakun historisë, Junior mbylli ndeshjen në 0-4. Më poshtë ndiqni intervistat e dhëna pas ndeshjes nga trajnerët për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.

Memelli (Skënderbeu): “Duhet të kishim qenë më të qetë dhe po merreshim me arbitrin sesa me fillim e lojës. Gjithsesi janë gjëra që ndodhin dhe episode të tilla të lënë shije të këqija, por që duhen rregulluar në të ardhmen, ndërsa pas golit të tretë humbet çdo vlerë. Por ajo që më bën krenarë te lojtarët është që edhe pas golit të tretë ata nuk u dorëzuan për asnjë rast dhe vazhduan lojë. Jemi katër skuadra ne, Kastrioti, Egnatia dhe Dinamo që humbi sot. Unë mendoj që ky do të jetë një kampionat që do të vendoset në javën e fundit. Ndaj i thash lojtarëve që çdo ndeshje është e rëndësishme dhe u kam thënë që duhet ta shohim çdo takim si një finale. Në dorë të VAR jemi gjithmonë. Gjërat që po bënim në lojë na jepnim besim për ndeshjen e ardhshme dhe më pas penalltinë vendosëm ta godiste Mensah, pasi pamë që në pesë ndeshjet e fundit sulmuesit tanë nuk kanë shënuar dhe duhet t’u japim besim sulmuesve”.

Shehi (Tirana): “Është e vërtetë që këtë ndeshje e kishim me merak, për shkak të rivalëve që i kishim afër. Unë jam i kënaqur, pavarësisht rezultatit, e rëndësishme është që e çuam ndeshjen e aty ku donim. Sigurisht që kur shënon, sulmuesi ndihet akoma më mirë. Taulanti sot është për t’u përgëzuar, e mbajti skuadrën në krahë. Nuk ishte karton. Ngo nuk është në stol, është akoma në Angli dhe në fazën e rekuperimit. Kam folur shumë me të dhe është shumë i lumtur për rezultatin e skuadrës”.

Arapi (Teuta): “Ai gol i pësuar shpejt na dha një goditje dhe erdhi për një gabim të tonin. Duhet të ishim organizuar akoma më tepër. U munduam të rregullonim diçka por nuk ishte e mundur. Ne e kemi diskutuar dhe herë tjetër që ndryshimet e mëdha nuk i bëjnë mirë ekipit, aq më tepër kur del kampion. Por situata erdhi e tillë. Duhet të kishim qenë më të kujdesshëm, por ndoshta akoma jemi brenda atyre objektivave për ta shpëtuar sezonin sepse kemi edhe Kupën dhe do të fokusohemi 100% edhe te Kupa.”.

Mehmeti (Partizani): “Kanë qenë në një ditë të mirë të gjithë sulmuesit. Normalisht do më pëlqente të ishin në ditë të mirë në ditë të ndryshme. Duhet të rritemi gradualisht për të arritur atë çfarë Partizani meriton. Nuk mund të vijë me një ndeshje pika e kthesës te një skuadër kur ka kaluar mjaft tranzicion. Po të shikojmë mënyrën se si i kemi zhvilluar këto ndeshje, duhet të kemi parasysh se kemi krijuar me Kastriotin dhe Dinamon mjaft raste. Por edhe me Laçin. Duhet të arrijmë një fizionomi loje që ta dominojmë kundërshtarin, sespe i kemi të gjitha mundësitë. Por kjo vjen dita-ditës duke qenë në ekuilibër dhe duke i marrë ndeshjet njëra pas tjetrës”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *