Iu kujtohet jehona e Meritan Shabanit? Tani në “Premier League”, ndez diskutimet për zgjedhjen e Kombëtares

Mes emrave shumë premtues me talentet e rinjë që janë përmendur disa vite më parë, Meritan Shabani kryeson listën. Talenti shqiptar aktivizohej me të rinjtë e Bajernit të Mynihut dhe shihej si një nga talentet më premtues të akademisë. Gjithmonë duke shpalosur aftësitë e tij, por mungesa e hapësirës në ekipin e parë bëri që menjëherë djaloshi të kërkonte një aventurë të re pasi nuk donte të humbiste kohë dhe kërkonte që të provonte futbollin “e burrave”.

Për këtë arsye zgjodhi që të shkonte te Wolvesi, ekipi që aktualisht është pjesë e “Premier League”. Por kjo aventurë nuk do të niste ashtu siç e dëshironte vetë lojtari pasi një dëmtim serioz e la për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta. Pikërisht në momentin kur trajneri i ekipit të parë të Wolves ishte gati për ta thirrur dhe për t’i dhënë besimin dhe për të mos e dërguar më tek të rinjtë. Dëmtimi është lënë pas dhe Shabani është kthyer sërish për të luajtur futboll. Fillimisht duke marrrë disa minuta me të rinjtë e Wolves, por nuk ka munguar edhe vëmendja e ekipit të parë.

Sa i përket Kombëtares që do të zgjedh Shabani ka pasur shumë mëdyshje. Shumë herë mediat e kanë afruar me Kosovën, megjithëse nuk ka munguar edhe flirtimi me Gjermaninë. Ndërkohë përpara dy vitesh Bushi do të shprehej se Shabani ishte shumë afër Kombëtares së Shqipërisë. Të gjithë këto diskutime i ndez një fotografi e postuar nga ana e talentit që ka vendosur flamurin e Kosovës në këpucët e tij, atje ku shumë media e kanë interpretuar si një paralajmërim për zgjedhjen që do të bëjë dhe që pritet të zyrtarizohet brenda pak kohësh. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *