Italia e Roberto Mançinit nuk arrin të fitojë sërish, në testin e dytë përballë një rivali me emër të madh, por barazimi 1-1 kundër Holandës lë një shije më të mirë se disfata kundër Francës pak ditë më parë.
Trajneri i ri i Italisë bëri disa ndryshime në krahasim me miqësoren e fundit, por skema 4-3-3 nuk u prek. Për herë të parë në histori, shiritin e mori një futbollist i Napolit, Lorenco Insinje.
Ndërkaq, Ronald Kuman e niste me 4-3-1-2, me Depaj e Babel në sulm.
Holanda e nisi fort, por Italia shënoi që në minutën e tretë me Belotin, i cili gjithsesi festoi kot, sepse ishte në pozicion jashtë loje.
Shumë gabime nga të dyja palët, ndërsa Beloti ishte lojtari më në formë tek Italia, me sulmuesin e Torinos që shënoi sërish pa mbushur çerek ore loje, por sërish pozicion jashtë loje.
Itali superiore, por pa krijuar raste për shënim, të paktën deri në minutën e 30-të, kur Beloti humbi një rast ideal i vetëm me portierin Silesen.
Në pjesën e dytë sërish Italia më mirë dhe zëvendësimet japin fryt, sepse Zaza u fut në vend të Belotit dhe gjeti golin 4 minuta pasi u fut. Gjithsesi, 2 minuta më vonë Krishito doli me karton të kuq dhe Italia u detyrua të tërhiqej pas, e vënë nën presion nga Holanda, që dy minuta para fundit gjeti barazimin me Ake.
ITALI – HOLANDË 1-1
GOLAT: 67′ Zaza / 88′ Aké (O)
ITALI (4-3-3): Perin; Zappacosta (58′ De Sciglio), Rugani, Romagnoli, Criscito; Cristante, Jorginho (78′ Baselli), Bonaventura, Verdi (61′ Chiesa), Belotti (63′ Zaza), Insigne (70′ Bonucci).
HOLANDË (4-3-1-2): Cillessen; Hateboer (46′ Janmaat), van Dijk, de Ligt (70′ Ake), Blind (78′ Weghorst); Wijnaldum, de Roon (78′ Promes), Vormer (70′ Berghuis); Vilhena; Babel (82′ Elia), Depay.
Karton i kuq: 69′ Criscito