Ndoshta një ditë do të na shpjegojnë se pse tifozët shqiptarë, sa herë që vjen një kombëtare e madhe, distancohen nga policia a thua se janë kriminelë, keqbërës dhe ndoshta edhe një “tufë” të papërgjegjshmish, sipas policisë? Ndoshta do të na shpjegojnë dhe pse kur erdhi, shumë vite më parë, Xhorxh Bushi, u lejuan ta preknin dhe, madje, na stisën vjedhjen e orës së dorës, teksa atë ia mori roja e sigurisë… Duhet të na shpjegojnë dhe pse sa herë flitet për futboll, masat janë drastike dhe Shqipëria kthehet në një shtetrrethim?! Nuk do të na e shpjegojnë, të jeni të sigurt. Dhe, nëse deti Adriatik na ndan në sajë të gjeografisë, gardhi policor na ndan në kontaktin fizik… Tifozët detyrohen të presin për orë të tëra dhe, më pas, ajo që bëjnë është vetëm një fotografi nga larg, që në google do të gjendeshin më mijëra… Italia e paprekshme, por urojmë të prekim të paktën ëndrrën për t’i mundur!