Nga Klaudio Ndreca
Lojtari Sabah Kerjota është një emër i njohur në Shqipëri e më veçanërisht në Shkodër. Me të rinjtë e Vllaznisë dhe duke mbajtur shiritin e kapitenit tek U-17, do të merrte vlerësimin e të gjithëve në këtë ambient sportiv. Atje shihnin një të ardhme të madhe, por për arsye ekonomike, do të largohej në drejtim të Italisë.
Një shans i madh do të ishte për karrierën e këtij sulmuesi në periudhën mes 16 marsit deri në 30 marsit. Kjo pasi do të largohej përkohësisht nga Clitunno, për të marrë pjesë në Kupën Viareggio me fanellën e Parmës. Por ky turne prestigjoz ndërkombëtar i futbollit për të rinjtë është anulluar për shkakun e Koronavirusit dhe do të shtyhet për një tjetër datë.
“Spoletosport” shkruan se ardhja e sulmuesit shqiptar në futbollin profesional është shtyrë, por nuk është anulluar përfundimisht. Po e njëjta media shprehet se ky futbollist mund të merret në fundin e këtij sezoni për të shkuar tek të rinjtë e Parmës, me firmën që mund t’i siguronte të ardhmen e madhe. /Sport Ekspres/