Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, ka shfryrë për arbitrimin në ndeshjen mes të kuqëve dhe Tiranës. Ekipi i Shehit arriti të përmbyste rezultatin në shifrat 1-2 duke u kurorëzuar kampion në derbi. Por për Olsi Ramën, ishte arbitri që ka ndikuar në rezultat, duke i shkaktuar humbjen Partizanit. Sipas Supersport, drejtori i të kuqëve e ka cilësuar gjykimin si një “Tavë Elbasani të gatuar me ngjalat e Lezhës”.
“E para urime Tiranës për këtë titull, kanë bërë një kampionat dinjitoz dhe besoj se e kanë merituar. Nuk besoj se kishte nevojë që të ndihmohej Tirana që të dilte kampion sot. Për arsye se ishte virtualisht kampione dhe e kishte vetë në dorë fatin e vet.
Sigurisht që mendoj se arbitri ndikoi në rezultatin e ndeshjes, ndikoi në dinamikën e ndeshjes, në shumë raste. Dua të di, kush ishte në VAR? Arbitër i VAR-it? Jorgji! Tani e kuptova. Është një tavë Elbasani e gatuar me ngjalat e Lezhës që na sjell në këtë pikë. Unë nuk e kuptoj arsyen e anulimit të penalltisë. Ka protokoll VAR-i dhe rregulla. Në qoftë se Hamiti e pa që s’kishte kontakt, duhet të kishte karton të verdhë ndaj Skukës dhe do të ishte karton i dytë i verdhë, pra karton i kuq. Nuk ka gjysmë të vërteta.
Ka vetëm një të vërtetë. Ka një protokoll VAR-i që është shumë specifik. Në qoftë se ka kontakt në fazën mbrojtës sulmues dhe jepet penallti, atëherë VAR-i nuk mund të ndërhyjë. Kontakti në fushë e gjykon arbitri. Ju sjell referencë një rast te ndeshja Juventus-Inter, penalltinë e Kuadrados, u dha penallti dhe u bë një polemikë e madhe pse VAR-i nuk ndërhyri dhe u shpjegua që VAR-i nuk ndërhyn kur ka kontakt. Në qoftë se nuk ka pasur kontakt, arbitri Hamiti duhet të kishte integritet t’i jepte kartonin e dytë Skukës.
Kur arbitri duhet të shkojë të ndërrojë një vendim në VAR, duhet të jetë 100 % i bindur, që vendimi që ka marrë në fushë, nga ajo që shikon në pamjet filmike, është tërësisht e gabuar. Në qoftë se nuk është 100% i bindur nuk e ndryshon dot.
Fakti që nuk i ka dhënë kartonin e dytë të verdhë Skukës, tregon që nuk ka qenë 100 % i bindur, nga pamjet filmike shikohet që ka pasur një kontakt të gjurit të Hoxhallarit me këmbën e majtë të Skukës. Unë mendoj dhe them, që ky ishte një gabim teknik i arbitrave dhe favorizim tërësisht në mënyrë të njëanshme Tiranën. S’po them më pas për faullet, shkelmat, etj”, tha Olsi Rama. /Sport Ekspres/