Ironi therëse e fatit! Muniz detyron Fulham të bëjë gati 4 milionë euro që të lërë në stol Armando Brojën, shqiptari qesh në mosbesim

Ajo që po ndodh me Armando Brojën është vërtet një ironi thëresë e fatit. Sulmuesi shqiptar la Chelsea për të qëndruar në stol te Fulham, duke marrë thuajse të njëjtin mintuazh, 15 minutat e fundit. Por këtë herë te Fulham është një tjetër histori. Në momentin kur Broja nënshkroi si huazim për këtë ekip, u prit me jehonë të madhe si një sulmues i madh.

Vetëm një ditë pas nënshkrimit dhe Broja u gjend në stol, ndërsa nga minuta e parë e nisi Muniz, që deri atëherë nuk kishte realizuar asnjë gol në Premier League. Por si për ironi, Muniz shënoi në ndeshjen e fundit kundër Burnley, ku Broja debutoi.

Ndërkohë në ditën e sotme, Muniz e kishte vendin e sigurt si titullar për shkakun e golit të realizuar. Sikur të mos mjaftonte, Muniz realizoi edhe dy gola të tjerë në fitoren 3-1 ndaj Bornemouth. Pra 0 gola në 11 ndeshje deri në momentin kur Broja mbërriti te Fulham dhe 3 gola në 2 ndeshje kur Broja u bë pjesë e Fulham.

Nuk mbaron këtu pasi së shpejti do të rikthehet nga dëmtimi edhe Jimenez, një sulmues i njohur në Europë dhe Fulham luan në skemën e tij vetëm me një sulmues, duke shtuar më shumë konkurrencën.

Vërtet interesante është fakti se Chelsea i la si kusht Fulham se nëse Broja nuk luan si titullar në 10 ndeshje nga 16 ndeshjet e mbetura, atëherë duhej që t’i paguante 4 milionë euro, për të siguruar mos lënien në stol të shqiptarit. Në këto kushte pasi dy ndeshje janë zhvilluar dhe kanë ngelur 14 të tjera, nga të cilat Broja duhet të nis 10 si titullar, Fulham po bën gati që tani 4 milionë eurot për Chelsea pasi edhe ndeshja e radhës do të jetë me Muniz si titullar pas këtyre dy golave dhe Jimenez që rikthehet së shpejti.

E vetmja zgjidhje për Brojën në këtë situatë do të ishte ndryshimi i skemës së Fulham, për ta dërguar me dy sulmues, në mënyrë që të plotësohet kushti i vënë nga Chelsea, i cili duket i pamundur për t’u realizuar deri tani. Megjithatë Fulham ndodhet në mesin e tabelës, vetëm dy pikë më pak se Chelsea, pa asnjë objektiv dhe me 10 pikë larg Everton që është në zonën e ftohtë. E parë në këtë prizëm, Broja do të ketë minutat e tij në ndeshjet e tjera pasi Fulham të sigurojë shpejt mbijetesën dhe të mos ketë objektiva. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *