“Air Albania” vazhdon të mbetet dëshira kryesore e klubeve të Superiores, për t’i zhvilluar takimet në arenën e re që është ndërtuar në Shqipëri. Kjo jo më kot, pasi përveç komoditetit të lartë dhe vlerësimit që ka marrë stadiumi i ri, jep edhe më shumë të ardhura për klubet.
Një pjesë që mbetet ende për t’u punuar është ajo e fushës. Kjo e fundit ka kushtuar 50.000 euro, ndërsa pritet që të jetë në kualitetet më të larta. Steha e tribunës jugore mbulon një pjesë të madhe të fushës dhe kjo ndikon që rrezet e diellit të mos e furnizojnë mjaftueshëm, që të jetë atje ku duhet.
Në muajin qershor pritet që fusha të jetë në nivelin më të mirë, pasi nuk do të ketë më probleme. Ndërkohë “Top Channel” raporton se do të kemi një “diell artificial”, atje ku shoqëria që menaxhon stadiumin do të blejë dhe vendosë llampa ngrohëse që kushtojnë rreth 200.000 euro për të mbajtur temperaturën e duhur. /Sport Ekspres/