Tirana është ndalur për herë të parë dhe nuk ka arritur të fitojë, që nga koha kur te bardheblutë ka arritur Egbo. Korçarët arritën të shënonin në pjesën e parë me Dejvi Bregun, që ka gjasa të jetë i fundit për Skënderbeun, pasi mund të transferohet në Rusi, atje ku merkato mbyllet në 21 shkurt. Ndërkohë golin e barazimit për bardheblutë e ka shënuar Kale. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Ilir Daja (Skënderbeu): “Një pikë e fituar dhe dy pikë të lëna, pasi kishim mundësi të artë në fundin e lojës. Kemi spostuar Ditën në mesfushë, megjithëse është roli i vetë, por ka luajtur në qendër të mbrojtjes. Nëse Gripshi do të ishte treguar më fanatik atje në fund, do të kishim marrë tre pikët. Por Tirana është e fortë dhe ne jemi të kënaqur edhe me kaq. Elezi e ka fituar vendin e titullarit me punë, është kthyer në lojtar kyç për ne dhe i përket datëlindjes 2001. Gripshi është pak i justifikuar pasi ka ndërruar disa pozicione në fushë dhe do kohën e vetë. Mentaliteti i fituesit vazhdon të mbetet te unë, pavarësisht se kam qenë trajneri i Tiranës dikur”.
Dejvi Bregu (Skënderbeu): “Kënaqësi të luash dhe shënosh në këtë stadium fantastik. Më vjen keq që goli nuk kishte vlerën e tre pikëve, por edhe ky ishte rezultat i drejtë. Ku do të largohem tani në shkurt? Unë nuk e di për vete, të ma thonin do të bënin mirë (qesh). Tani jam duke pritur. Kam ndierë dhimbje që nga nxehmja dhe i thashë trajnerit që do të duroja”.
Egbo (Tirana): “Nuk e kemi nisur mirë ndeshjen në pjesën e parë. Këtë u kam thënë edhe lojtarëve, ndërsa ai episod te goli i Skënderbeut që ne kemi gabuar, ndryshoi rrjedhën. I ndodh të gjithave skuadrave, por jam i kënaqur me atë grintë në pjesën e dytë. Ka edhe shumë ndeshje, nuk ka mbaruar kampionati këtu. Bylisi nuk toleron dhe Kukësi do e ketë të vështirë, por nuk më interesojnë skuadrat e tjera. Jam munduar që t’i ul lojtarët me këmbë në tokë, pasi njerëz janë dhe ka eufori. Unë për vete as që i kam llogaritur fitoret rresht që ne kemi marrë deri tani”.