Kukësi është befasuar nga Teuta në takimin e sotëm të luajtur në “Niko Dovana” të Durrësit ndërsa ndeshja u mbyll në shifrat 2-2. Pa harruar mirë humbjen me Tiranën javën e shkuar, verilindorët marrin “shuplakën” e radhës nga Teuta. Këta të fundit e kthyen në dramë ndeshjen e sotme me një gol në minutën e fundit nga këmbët e Kallakut që vendosi baraspeshën dhe heshti kampin e Kukësit. Të gjithë lojtarët janë ulur në gjunjë, pasi nuk i besonin syve për atë që ndodhi.
Vendasit kaluan të parët në avantazh falë një penalltie të ekzekutuar në mënyrën më të mirë nga Kallaku. Por kur pritej mbyllja e pjesës së parë, një tjetër 11-metërsh është dhënë për Kukësin dhe Shkurtaj nuk do të gabonte, për t’i dërguar në dhomat e zhveshjesh në shifrat 1-1. E për kaluar për herë të parë në avantazh verilindorët në këtë përballje ka menduar sërish Shkurtaj, por këtë herë përgëzimet shkuan për Abazajn. Teksa futet bukur në driblim në krahun e majtë, ia bën fare të lehtë shokut të skuadrës që të dërgoj topin në rrjetë. Për të mbërritur në minutën e fundit, ku ajo goditje nga distanca e Kallakut, nuk u ndal dot nga portieri kundërshtar. Në këtë mënyrë, Tirana shkon në 4 pikë larg Kukësit në krye. Ndërkohë më poshtë mund të ndiqni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Martini (Teuta): “Sigurisht që individualitetet që ka Kukësi e zgjidhin ndeshjen, por ne meritonim shumë më shumë, për të fituar ndeshjen. Penalltia e Kukësit? Po Limaj ka menduar se është në Durrës dhe është hedhur në det, sepse nuk e shoh si penallti. Gjithsesi gabimet janë njerëzore. Ju gjithmonë thoni se nuk shënojmë, por kemi bërë dy golat sot. Ekipi që përballon më tepër trysninë do të arrijë objektivat e tij. Luajmë në të dy fronte në kampionat dhe Kupë, por nëse luajmë kështu si ndaj Kukësit, atëherë objektivat janë të arritshme. Ne kemi lënë dy pikë sot, më vjen keq”.
Duro (Kukësi): “Nuk kam fjalë për të thënë, është ndeshja e tretë që humbim pikët në momentin e fundit. Te të treja ndeshjet ne kemi qenë mirë si me Bylisin, Tiranën edhe sot. Kanë qenë momentet për ta mbyllur ndeshjen edhe sot, por nuk e kemi mbyllur. Pastaj fati i keq na dënon duke na hequr dy pikë shumë me rëndësi. Më vjen keq që i ndodhi në momentin e fundit portierit Xhika. Kemi pasur disa mundësi për ta mbyllur takimin. Kur nuk vjen rezultati, mund të gjenden edhe gabimet. Kanë qenë vetëm mungesë përqendrimi dhe tani po kthehet psikologjike pasi u bë ndeshja e tretë që ne ndëshkohemi. Nuk dua ta ngarkoj portierin, janë gjëra që ndodhin. Kjo ishte e treta radhazi dhe ajo humbje ndaj Tiranës, që mund ta fitonim, por edhe as nuk arritëm që ta barazonim. Pastaj edhe rivali ynë direkt fitoi dje me Partizanin. Nuk kam se çfarë emri t’i vvë kësaj.”
Sherif Kallaku (Teuta): “Jo këtë herë nuk kisha frikë se do e humbisja penalltinë. Ndaj Skënderbeut e humba pasi nuk bëra hapin fals që unë e bëj gjithmonë te penalltitë, duke parë edhe portierin. Ishte minuta e fundit dhe hoqa dorë atje pasi nuk doja të më mbeste pishman nëse do të gaboja në atë mënyrë. Sot që bëra hapin fals, arrita të shënoj. Pra do të veprojë gjithmonë kështu në vazhdim dhe nuk do të godas pa bërë hapin fals. Festimi im te goli ishte edhe një përgjigje për tifozët e Teutës. Ata sportdashës që vijnë në Durrës duhet të kuptojnë se shkallët e stadiumit nuk janë për t’u shfryrë ndaj lojtarëve”.