Në pasditen e sotme janë mbyllur dy ndeshjet e fundit të javës së 21 të Superiores. Partizani ka bërë detyrën e shtëpisë ndaj Flamurtarit duke e mundur me rezultatin 2-0 dhe duke u ngjitur në vendin e tretë, menjëherë pas Tiranës. Nga krahu tjetër, Luftëtari i ka ngrirë buzëqeshjen Teutës me një gol në minutat e fundit. Më poshtë mund të ndiqni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Coclli (Luftëtari): “Kisha besim të jashtëzakonshëm dhe kisha ndjesi që do të shënonim në fund. E kam thënë që nga kjo skuadër do të shihni surpriza, pasi kanë kualitete të mëdha. Ajo që mungon është mbështetja dhe një projekt për të vazhduar këtë rrugë. Humbjet i kemi marrë ndaj Partizanit, Kukësit dhe Tiranës. E dija se do të përfundohej ashtu, por nuk do të shikoni më oshilacione. Do të shihni shumë surpriza nga Luftëtari dhe do të flasim në vazhdimësi. Ne nuk kemi ndërmend që t’i hapim rrugën askujt”.
Troisi (Flamurtari): “Ishte e vështirë pasi gjatë javës punuam me një formacion dhe më pas improvizova, sepse nuk i kisha të gjithë të gatshëm. Dua t’u jap urimet lojtarëve të mi, pasi janë të rinjë, luajtën mirë dhe luftuan deri në fund. Kam marrë shumë lojtarë të rinjë nga akademia dhe me këtë rast të bëjmë ndonjë zbulim të ndonjë talenti që është gati për ekipin e parë. Penalltia e Partizanit? Pamjet flasin vetë, por nuk flas për arbitrat. Më duket disi e çuditshme, por janë tre ekipe që nuk i shkojnë punët mirë me ekipet. Flamurtari është ekip me emër të madh për çdo trajner do të ishte nder që ta merrte si detyrë. Unë e dija se ishte në moment të vështirë, por Idrizi më premtoi një bashkëpunim të gjatë”.