Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e para të javës së 26 të Superiores. Bylisi dështoi sërish të dilte me tre pikë nga fusha e lojës, teksa u ndal në një barazim 1-1 nga Luftëtari. Po në të njëjtat shifra ka përfunduar edhe takimi tjetër në “Niko Dovana”, ku Flamurtari ia ka dalë t’i rrëmbejë pikë Teutës.
Ndërkohë, pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë edhe intervistat e tyre për mikrofonin e “Supersport”, ku janë shprehur:
Nertian Novi (Luftëtari): “E kam thënë që kemi çuna të rinjë, të shkëlqyer dhe që kanë etje për futboll. Nuk kemi për t’i hapur rrugë asnjë ekipi që vjen si në Gjirokastër dhe jashtë. Këtë e treguam ndaj Bylisit. Jam i kënaqur me barazimin, por duhej ta kishim fituar pasi dolëm shumë herë para portës dhe nuk shënuam. Ne kemi zbritur nga Superiorja dhe po mendojmë që tani për Kategorinë e Parë. Ne na mungon vetëm njeriu gol”.
Dritan Resuli (Flamurtari): “I kemi lënë vend edhe lojtarëve të rinjë, çunat kanë zbatuar detyrat e tyre. Por kemi ditur që të menaxhojmë situatën pas golit që pësuam te barazimi. Sezoni i dytë pati prurje në ekip, afrimi i tre brazilianëve na ka bërë që të jemi më sulmues. Gjithmonë na ka penalizuar fakti që kemi bërë shumë alternime për formacionet. Ne kemi shpresa te ky grup i rinj lojtarësh që po rriten”.