Tirana është ndalur për herë të parë dhe nuk ka arritur të fitojë, që nga koha kur te bardheblutë ka arritur Egbo. Korçarët arritën të shënonin në pjesën e parë me Dejvi Bregun, që ka gjasa të jetë i fundit për Skënderbeun, pasi mund të transferohet në Rusi, atje ku merkato mbyllet në 21 shkurt. Ndërkohë golin e barazimit për bardheblutë e ka shënuar Kale. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Ilir Daja (Skënderbeu): “Një pikë e fituar dhe dy pikë të lëna, pasi kishim mundësi të artë në fundin e lojës. Kemi spostuar Ditën në mesfushë, megjithëse është roli i vetë, por ka luajtur në qendër të mbrojtjes. Nëse Gripshi do të ishte treguar më fanatik atje në fund, do të kishim marrë tre pikët. Por Tirana është e fortë dhe ne jemi të kënaqur edhe me kaq. Elezi e ka fituar vendin e titullarit me punë, është kthyer në lojtar kyç për ne dhe i përket datëlindjes 2001. Gripshi është pak i justifikuar pasi ka ndërruar disa pozicione në fushë dhe do kohën e vetë. Mentaliteti i fituesit vazhdon të mbetet te unë, pavarësisht se kam qenë trajneri i Tiranës dikur”.