Intervistat/ Moçka me deklaratë dashurie: Kurrë mos thuaj kurrë! Të mbyll karrierën te Flamurtari

Gjatë ditës së sotme janë luajtur edhe tre ndeshje të tjera për Superioren, atje ku Skënderbeu ka fituar me rezultatin 0-1 ndaj Vllaznisë në minutat e fundit. Laçi ia ka dalë në shifrat 0-2 ndaj Luftëtarit, ndërsa pa gola është mbyllur mes Bylisit dhe Flamurtarit. Më poshtë mund të ndiqni edhe intervistat e protagonistëve të takimit për “Supersport”:

Novi (Luftëtari): “Më vjen keq që kam humbur në debutim, por në minutën kur erdhi penalltia kemi luajtur si të barabartë me Laçin. Shpresat tona janë të vogla për të mbijetuar, por ne do bëjmë futboll dhe do respektojmë kampionatin. E kam thënë edhe më parë që këtu askush nuk do e ketë të lehtë. Edhe nga presidenca e ekipit më kanë komunikuar për vazhdimësinë dhe kemi menduar për të ardhmen. Nuk është se jemi të rënë nga kategoria dhe të mendojmë për vitin tjetër”.

Daja (Skënderbeu): “Në radhë të parë dua të falenderoj tifozët shkodranë për respektin dhe pritjen që na kanë treguar, pasi na duartrokitën në fund dhe ishte ambient fantastik. Në pjesën e parë kemi luajtur ne më mirë, ndërsa në të dytën ishte më mirë Vllaznia. Pastaj në fund kemi konkretizuar siç nuk kemi bërë më herët dhe na ka buzëqeshur fati. Krasniqi nuk ka qenë në gjendjen më të mirë shëndetësore, prandaj nuk u aktivizua më herët. Për Krasniqin më mirë që të prisnim për momentin më të duhur që ta hidhnim në fushë, sesa të shpejtonim dhe t’i përsëritej dëmtimi”.

Troisi (Flamurtari): “Ajo që po bëjmë është rritja në cilësinë e lojës dhe të aktivizojmë lojtarët që më parë nuk kishin hapësira, pasi mbijetesa është shumë e vështirë. Po pres që të takoj Idrizin dhe të flas për projektin e tanishëm dhe për të ardhmen. Sa i përket ndeshjes dua të përgëzoj lojtarët se dhanë gjithçka kishin. Luajtëm ndaj një ekipi të fortë si Bylisi. Ky kampionati shqiptar është shumë i fortë dhe ne kemi disa lojtarë cilësorë”.

Cungu (Laçi): “Sigurisht që do të ishte perfekte që pikët do të shkonin së bashku me lojën e bukur. Por në këtë fazë ku jemi tani në kampionat, duhen vetëm pikët dhe rezultatit, jo loja e bukur. Bie dakort që këto dy ndeshje nuk kemi bërë ndeshje të mira, por kemi luajtur më bukur se kaq dhe kemi humbur. Tani rëndësi ka rezultati. Mos harroni që tensioni dhe stresi është i madh te të gjitha ekipet pasi po vjen kampionati drejt fundit. Pastaj edhe kalendari është shumë i ngjeshur”.

Dovedan (Bylis): “Nga 5-6 raste që ne kishim vetëm për të shtyrë topin, pastaj edhe penalltia, të çon në një ngërç psikologjik. Normalisht që kur shikoj edhe lojtarë të lodhur, por kjo nuk do të thotë që të mos shtysh topin në rrjetë kur je 5 metra larg portës. Jam shumë i mërzitur dhe nuk di se çfarë të them. Megjithatë sot i kam parë lojtarë shumë të lodhur.”

Jonuz (Vllaznia): “Është shumë e vështirë që të vish të flasësh kur humbet në minutën e fundit. E kisha frikë kundërsulmin dhe ashtu jemi dënuar. Ishte edhe një fatkeqësi që u dëmtua Ramadani dhe në vendin e tij hyri Gurishta. Unë erdha te Vllaznia sepse pashë diçka te ky ekip dhe më vjen keq që lojtarët nuk e kuptojnë se duhet të luftojnë në fushë. Ne nuk kemi kushte as në stërvitje dhe që nuk të japin asnjë mundësi për të përparuar. Kemi 4 muaj që bëjmë stërvitje në një terren pa bar. Kjo ndikon edhe te lojtarët. E përsëris edhe njëherë se nuk humbas unë si trajner, por lojtarët humbin. Nuk është një kapitullim dhe problemi më i vogël këtu jam unë. Vllaznia do të ekzistojë edhe pa mua dhe pa të tjerët”.

Moçka: “Kurrë mos thuaj kurrë, kemi pak shpresa për të mbijetuar, por nuk jemi dorëzuar. Unë po vazhdoj të stërvitem fortë. Nëse në klub nuk do të ketë probleme, atëherë unë nuk do të lëviz më nga Flamurtari. Dua që ta mbyll karrierën time këtu sepse ndihem shumë mirë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *